Ekonomi

Analiza e BB: Emigrantët shqiptarë s’ndihmojnë ekonomitë lokale të vendlindjes, por vetëm atë të kryeqytetit

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Botërore ka analizuar fenomenin e emigrimit dhe ‘ikjes së trurit’ në të gjithë globin, duke përfshirë dhe Shqipërinë.

Në raportin e sapopublikuar me qindra faqe, BB e përmend Shqipërinë si një rast unik ku efektet e emigrimit në vendet e origjinës nuk janë të njëjta.

Zakonisht, nga emigrantët dhe dërgesat e tyre në vendin e origjinës, përfitojnë ekonomitë lokale dhe përfitojnë edhe familjet e tjera.

 Por në rastin e Shqipërisë, Banka thekson se emigracioni nxit më shumë ekonominë urbane, pasi të gjithë synojnë investimet në kryeqytet dhe jo në rrethet nga ku ata vijnë. Kjo ka ndryshuar edhe migrimin e brendshëm, ku në një efekt zinxhir, zhvillimi urban, tërheq dhe vendasit nga zonat e tjera të shkojnë drejt Tiranës.

Një tjetër pjesë e raportit ku Banka përmend Shqipërinë është ajo e “match&motive” ku kërkesat e shteteve pritëse përputhen me ofertën e shteteve të emigrantëve.

Në një skemë tepër specifike, BB tregon se një ndër përputhjet më fitimprurëse të emigrantëve ka qenë kërkesa e Italisë për kujdestarë të moshave të treta dhe oferta e Shqipërisë për emigrantë të gatshëm ta bëjnë këtë.

Ky është tipi 1 i emigrimit, ‘emigrantët ekonomikë’ që zakonisht shoqërohet me thithjen e të gjithë familjarëve të punonjësit. Ekonomiksi i këtij fenomeni është i thjeshtë dhe pozitiv. Pengesat ligjore janë të pakëta, të ardhurat të konsiderueshme për të jetuar në destinacion dhe për dërgesa në vendin e origjinës.

Në hartën botërore të emigrantëve në raport me popullsinë, Shqipëria ngjyroset me të kuqe, që përfshi fashën 20-30%.

Banka Botërore e analizon fenomenin e emigrimit pozitivisht dhe sugjeron që midis vendeve në marrëdhënie të tilla të ketë marrëveshje bilaterale me qëllim përfitimet e ndërsjella dhe uljen e varfërisë. Raporti tregon se lëvizjet migruese janë tashmë normale edhe në vendet e zhvilluara, të cilët synojnë vende të tjera të zhvilluara. Në vendet e pazhvilluara apo në zhvillim, tendenca kufizohet brenda rajonit, pra ata emigrojnë në vendet fqinje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë