Gazeta Si - Prita. Marrëveshjet e mundshme të fshehta. Lidhjet e jashtme. Droga. Mobilizimi i ushtrisë, sepse policia është e pamjaftueshme.
Nuk po flasim për anën e errët të Meksikës, por për Ekuadorin që marshon drejt zgjedhjeve presidenciale (në 20 gusht) në kulmin e një vale të krimit, vrasjeve dhe rrëmbimeve.
Vrasja e kandidatit për president, Fernando Villavicencio, është simboli i stuhisë "perfekte", të nxitur nga erërat e këqija dhe ndonjëherë të maskuara.
Një sulm që ndodhi në një kontekst të përkeqësuar, ku kriminelët vendas bashkëpunojnë me rrjete të mëdha ndërkombëtare.
Një aleancë që e ka shndërruar vendin nga një pikë tranziti, në një pikënisje për kokainën, të fshehur në kontejnerë plot me banane të destinuara për në Evropë, në një narko-nëndetëse që lundrojnë rrugës për në Amerikën Qendrore, deri te trafiku me avionë.
Llogaritjet e përafërta, besojnë se rreth 800 tonë kokainë trafikohen çdo vit. Por janë shifra të paverifikueshme, si ato meksikane.
Vrasjet u rritën nga 1,088 në vitin 2019, në 4,761 vitin e kaluar, ndërsa më shumë se 400 të burgosur humbën jetën për shkak të përplasjeve mes bandave rivale në burg.
Viktima, Villavicencio, e nisi fushatën e tij kundër të korruptuarve dhe kishte zbuluar, vetëm një muaj më parë, se kishte marrë kërcënime të drejtpërdrejta nga karteli meksikan i drogës Sinaloa, ai i menaxhuar nga djemtë e El Chapo Guzman në konkurrencë me bosët e tjerë.
Organizata ka operuar në Ekuador që nga fillimi i viteve 2000, me njerëzit e saj dhe përmes një pakti operacional me Los Cochoneros.
Megjithatë, ky fraksion ka pasur disa probleme të brendshme dhe një nga liderët e tij historikë, Junior Roldan, u vra në Kolumbi në maj.
Ai udhëhoqi krahun e njohur si Los Aguilas, ndërsa pjesa tjetër e bandës, Los Fatales, i përgjigjet urdhrave të José Adolfo Villamar, i njohur si “Fito”, një bandit i famshëm i burgosur prej kohësh, i cili dyshohet se e kishte vënë në listën e tij të vdekjeve eksponentin politik të qëlluar për vdekje në Kuito.
Për të ngatërruar drejtuesit - një tjetër ngjashmëri me thertoren meksikane - u shfaq një video e grupit Los Lobos: një falangë e njerëzve të maskuar mori përgjegjësinë për sulmin.
Mirëpo, një dalje propagandistike e mohuar nga drejtuesit “zyrtarë”, rrëzoi alibinë e dyshuar. Është një thurje e zakonshme, një xhungël për t'u fshehur, ndoshta një drejtim i gabuar drejt ujërave të turbullta tashmë me baltë.
Los Lobos përfaqësojnë një gangrenë të zezë, që lëviz së bashku me kartelin Jalisco, rivalin e Sinaloas dhe, sipas ekspertëve, është në rritje.
Tiguorones dhe Chones gjithashtu lëvizin në të njëjtën orbitë. Beteja të shpeshta që ndoshta mund të kenë një pushim.
“Fito”, i dënuar me 34 vjet burg për vrasje dhe trafik droge, pak ditë më parë ka komunikuar nga qelia nënshkrimin e armëpushimit me rivalët e Los Lobos. Me një të veçantë: Kumbari, gjatë dënimit në burg, u bë avokat!
Megjithatë, këta nuk janë të vetmit protagonistë. Këtu, në qendër të një lufte të ashpër veprojnë eksponentë të botës së huaj të krimit, përfshirë disa klane shqiptare, të cilët bashkëpunojnë sipas interesave, p u përfshirë direkt në luftën mes bandave lokale.
Kjo është gjithashtu pasojë e rolit strategjik të Ekuadorit në eksportet e pluhurit të bardhë.
Një fije, që të çon në mënyrë të pashmangshme në Kolumbi, prodhuesja e madhe e kokainës, ku një vit më parë u vra gjyqtari ekuadorian Marcelo Pecci, i qëlluar në plazh gjatë muajit të mjaltit.
Hetimet e rrufeshme për vdekjen e Villavicencios - përsëri në stilin meksikan, kur duan të ofrojnë përgjegjësit - çuan në kapjen e komandos së përbërë nga kolumbianë të dyshuar dhe në vrasjen e vrasësit.
Persona të njohur, të cilët ishin arrestuar dhe liruar. A janë ata fajtorët e vërtetë? A ka ardhur porosia nga Sinaloa?
Rreth pritës ka shumë “mjegull”. Kandidati për president nuk ishte në një makinë të blinduar dhe eskorta u kap në befasi, pavarësisht nga ekzistenca e paralajmërimeve të vazhdueshme.
Ndërsa priten zhvillime, do të shihet nëse FBI-ja amerikane do të hyjë seriozisht në hetim, duke qenë se qeveria ekuadoriane ka kërkuar ndihmën e Uashingtonit. Duhet një ndihmë e rëndësishme, por edhe për një sy të pavarur, të sigurt nga infiltrimet.
Drama e Villavicencios, kujton fundin e Luis Donaldo Colosios. Ai aspironte të bëhej president, kishte dalë kundër “dinozaurëve” të partisë PRI, valëviti një mesazh për luftë kundër krimit dhe “duar të pastra” dhe e ndaluan. Ishte 23 mars 1994. Në Tijuana, Meksikë.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.