Gazeta Si – Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ka gjetur disa problematika në zbatimin e ligjit, pasi ka përmbyllur verifikimin për Amnistinë Penale të vitit 2024.
Dokumentacioni është marrë nga Drejtoria e Burgjeve për problematikat e hasura gjatë zbatimit të amnistisë në 2024-n, me të burgosur dhe të paraburgosur, që edhe pse të amnistuar nga Kuvendi, sorollaten nga prokuroritë dhe gjykatat, duke iu mohuar liria.
Në një njoftim për mediat, ILD thotë se ka pasur konfuzion në interpretimin e ligjit që lidhen me fillimin e ekzekutimit nga ana e prokurorit, si dhe mosveprim të menjëhershëm pas administrimit të vendimit të shkurtuar, për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit.
Sipas ILD-së, ka psur mënyra të ndryshme të të kuptuarit dhe të zbatuarit të dispozitave procedurale penale mbi shpalljen e vendimit të përmbledhur nga gjykatat.
Po ashtu, ILD konstatuar diferencë kohore midis datës së vendimit të formës së prerë dhe përcjelljes së tij, si dhe mospërputhje e datës së hyrjes së vendimit në sekretarinë e prokurorisë me datën e marrjes në dorëzim nga prokurori, përfshirë dhe datën e shkresës përcjellëse të këtij urdhri.
Verifikimi i ILD ka vërejtur dhe mos pasqyrim në librat e brendshëm të dorëzimit, të datës së marrjes në administrim nga prokurori i ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore të formës së prerë të përcjella dhe të protokolluara.
Iniciativa e ILD-së ka ardhur për zbatim të drejtë dhe efektiv të qëllimit që kanë nismat penale për dhënie amnistie, në respektim të parimit të humanizmit të drejtësisë penale, si dhe rehabilitimit dhe ri integrimit në shoqëri të të dënuarve bazuar edhe në standardet e vendosura nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



