Në Shqipëri do të rihapet procesi i vlerësimit të pasurisë për rreth 50 mijë banesa. Parlamenti pritet të shqyrtojë nismën e depozituar në Kuvend nga ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Në këtë projektligj, parashikohet që “të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 30 gusht 2020, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut”. Për rivlerësimin e këtyre pasurive parashikohet të kryhet në dy mënyra në shtet me anë të një eksperti të licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse, ose nga zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ose mund të mund ta kryejë vetë individi me anë të një eksperti të licencuar. Në rast se individi zgjedh Kadastrës, atëherë rivlerësimi kryhet me çmimet minimale në fuqi. Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3% e bazës së tatueshme.

Subjekt të këtij ligji janë individët, të cilët janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë sipas legjislacionit në fuqi, si dhe ato individë, të cilët disponojnë kontratë sipërmarrje ose porosie dhe që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë sipas legjislacionin ne fuqi.
Ahmetaj në relacionin e tij shprehet se ky projektligj vlerësohet të ketë 6 miliardë lekë efekte financiare bruto në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin buxhetor 2020. Vlerësohet qe procesit të rivlerësimit t’i nënshtrohen rreth 50 mijë banesa. Llogaritja e efektit është bërë bazuar në numrin e banesave dhe pagesën mesatare të bërë nga individët në rivlerësimin e periudhës 2011-2013 dhe 2016-2017. Procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me
1 % gjatë viteve 2011-2013 u bë për 95 mijë pasuri dhe gjeneroi në buxhet 4 miliard
leke, ndërsa procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 2% gjatë viteve 2016-2017 u bë për 63 mije pasuri dhe gjeneroi 5,1 miliard lekë në buxhet.
“Ndërkohe, si rezultat i procesit të rivlerësimit, do te reduktohen të ardhurat nga tatimi mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për periudhën e rivlerësimit dhe më tej. Ky efekt në uljen e të ardhurave nga ky tatim do të ishte minus 2 miliard lekë. Pra efekti neto në të ardhurat e buxhetit të shtetit do të ishte 6-2= 4 miliard lekë”, shprehet Ahmetaj në nismën e tij.
Në këtë relacion fillimisht përcaktohet se nismëtare janë ministria e Financave dhe e Drejtësisë, por nisma është paraqitur individuale në emër të deputetit të PS-së, Arben Ahmetaj. Synimi i këtij projektligji është rivlerësimi i pasurisë të paluajtshme i gjithë individëve, deri në datën 30 qershor 2020. Ky projektligj ka për qëllim realizimin brenda një kohe të shkurtër dhe me kosto mjaft të ulët për individët, të rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme të tyre, dhe nxitjen e tregut të pasurive të paluajtshme. Ky projektligj mund të cilësohet edhe si amnisti dhe është hera e tretë që mazhoranca ndërmerr për rivlerësimin e banesave. Meqënëse mendohet të ketë efekt të shkurtër kohor si zbatim, Kuvendi pritet ta shqyrtojë atë me procedurë të përshpejtuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.