Drejtësia

Amnistia e fundvitit, lirohen 380 të burgosur dhe 900 përfitojnë ulje dënimi

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria shqiptare pritet të miratojë një amnisti penale me synim lehtësimin e sistemit penitenciar dhe dhënien e një shansi të dytë për kategori të caktuara të dënuarish. Nisma është bërë publike nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një video-mesazhi, ku ai ka dhënë detaje mbi përfituesit dhe kriteret që do të zbatohen.

Sipas vlerësimeve paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nga zbatimi i kësaj amnistie rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa afërsisht 900 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Ministri Lamallari thekson se numri real i përfituesve pritet të jetë edhe më i lartë, pasi përfshihen edhe persona që do të përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe nga masat alternative.

Ai sqaron se në kategoritë përfituese përfshihen të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore, duke vënë theksin te rehabilitimi dhe riintegrimi i tyre në shoqëri dhe pranë familjeve.

Nga ana tjetër, ministri ka theksuar qartë se nga kjo amnisti nuk do të përfitojnë persona të dënuar për krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Po ashtu, nuk përfshihen subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe janë gjykuar nga GJKKO. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një amnisti selektive apo favorizuese, por për kritere ligjore të qarta dhe transparente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë