Trashëgimi

Amfiteatri i Durrësit si Butrinti? Arkeologët: Plani i menaxhimit nga privati një skandal i radhës

Nga Gazeta Si - Pas Butrintit dhe Pallatit të Brigadave, që kanë ndezur debatin për menaxhim nga privati, Ministria e Kulturës ka hedhur për konsultim publik deri më 3 gusht planin për menaxhimin e zonave arkeologjike në Durrës, me anë të të cilit mund të shkohet në menaxhim indirekt nga privati.

Sipas Planit të Menaxhimit të Integruar (PMI) i financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe i publikuar nga Ministria e Kulturës synohet zhvillimi, mbrojtja dhe menaxhimi i zonave arkeologjike të qytetit të Durrësit për periudhën 2021-2028.

Objektivat e një plani të tillë për Durrësin, që i lë mundësinë e hapur menaxhimit nga privati, e organizatave jofitimprurëse, janë thuajse të njëjtat si në rastin e Butrintit, dhe në to renditet ruajtja, mbrojtja dhe valorizimi i zonës. Ndërsa sitet që përfshihen janë; Amfiteatri Romak, Termat Romake, Kalaja e sipërme dhe Itineraret Urbane e të tjera.

Arkeologu Skënder Muçaj thotë për Gazetën “Si” se ndryshe nga Butrinti, në këtë rast kemi të bëjmë me një qytet të tërë që mbart vlera historike, shkencore, estetike, sociale dhe kulturore dhe ekonomike ku këto vlera lidhen me të gjithë qendrën urbane të Durrësit. Sipas tij nuk mund të rrezikohet me menaxhime indirekte.

“Ne akoma nuk e dimë a do funksionojë menaxhimi nga privati në Butrint, si mund të dalim me plane të tilla menaxhimi edhe në site të tjera? Ky është më shumë një eksperiment”, thotë arkeologu për Gazetën “Si”.

Ai thotë më tej se “plani i menaxhimit për vazhdimin e gërmimeve arkeologjike e restaurimeve të domosdoshme mund të thuhet se është një gjë pozitive, pasi kështu do të zbulohej i gjithë Amfiteatri për të kandiduar më tej për në Unesco. Por pjesa e menaxhimit nga një privat dhe përfshirja e të huajve duke lënë pas ekspertët shqiptarë nuk të çon asgjëkund. Vlerat tona arkeologjike duhet të menaxhohen nga studiuesit tanë”.

Ndërsa, arkeologia Lida Miraj thotë për Gazetën “Si” se nëse do shkohet sërish në një menaxhim indirekt nga privati ky është skandali i radhës.

“Në thelb Plani i Menaxhimit si plan studimor për Amfiteatrin, Forumin Rrethor Bizantin e Termat Romake është pozitiv. Por nëse ky plan ka prapaskena është skandal”, thotë arkeologia Miraj për Gazetën “Si”.

Arkeologu Muçaj sheh si një nga problemet kryesore, që i lë rrugë të lirë menaxhimeve indirekte të siteve arkeologjike (nga privati) Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë të 2018-ës.

“Është shtuar një nen në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore në 2018 që i lejon Ministrisë të hartojë plane të tilla menaxhimi, por problemi është se ky nen po merr më shumë hapësirë se të gjithë nenet e tjera”, vijon më tej Muçaj.

Arkeologu Skënder Muçaj

Kryebashkiakja Emirjana Sako do ta cilësonte që në shkurt të këtij viti këtë plan si një projekt ambicioz.

“Mbi të gjitha kemi edhe një projekt shumë ambicioz, i cili është ai i Amfiteatrit të Durrësit, ku ne do të bëjmë hapjen e plotë të arenës, duke filluar me faza. Projekt i cili është shumë i rëndësishëm, realizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, si dhe më tej qeverisë shqiptare”, premtoi kryebashkiakia Emiriana Sako.

Nga ana tjetër, arkeologu Muçaj thotë se në draftin e publikuar nuk përmenden fare rolet që do të kenë institucionet në Durrës, si Bashkia, Universiteti i Durrësit apo edhe Ministria e Turizmit.

“I gjithë ky plan duhet të bëjë bashkë edhe institucione të tjera që e çojnë para mbarëvajtjen e tij. Cili është roli i Bashkisë? Te Amfiteatri ka godina që do të shemben për t’i dhënë mundësinë monumentit të zbulohet i plotë dhe të hapet fushëpamja pranë tij, duhet të përfshihet edhe Ministria e Turizmit. As Universiteti i Durrësit ku përgatiten menaxherët e së ardhmes nuk është i përfshirë”, thotë Muçaj.

Ndër emrat që e kanë çuar përpara këtë plan janë edhe emra që u përfshinë në Butrint. Në plan përmendet përfshirja e Ministrisë së Kulturës, Elva Margariti; Ish-drejtorja e Institutit Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore, Arta Dollani, Kozeta Angjeliu nga Ministria e Kulturës dhe drejtorja aktuale e Institutit Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore, Rudina Zoto si dhe ish-drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita.

Gazeta “Si” u interesua pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore që drejtohet nga Rudina Zoto, një ndër emrat e përfshirë në çuarjen përpara të këtij plani se çfarë synohet me këtë plan menaxhimi në Durrës dhe a kemi të bëjmë me të njëjtën mënyrë menaxhimi si me Butrintin, por IKTK nuk dha një përgjigje.

Fill pas bërjes publik të draftit ka pasur reagime edhe nga radhët e opozitës, të cilët e cilësojnë si masakrën e radhës me trashëgiminë kulturore.

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma me anë të një postimi në rrjetet sociale, thotë se kjo është një masakër që po i bëhet Durrësit dhe trashëgimisë kulturore.

Ndërsa deputeti demokrat, Ervin Salianji hedh akuza ndaj qeverisë duke thënë se çdo pasuri dhe burim natyror të vendit e kanë ndarë në pak duar dhe po i marrin shqiptarëve gjithçka dhe po plaçkit sikur çdo ditë të jetë e fundit.

Te Amfiteatri i Durrësit prej vitesh një ekip arkeologësh shqiptaro-italian gërmon për të njohur strukturën e pazbuluar të amfiteatrit, një bashkëpunim midis Institutit të Arkeologjisë dhe Universitetit të Chietit në Itali.

Arkeologia Elvana Metalla, përfaqësuese nga Instituti i Arkeologjisë, e cila prej vitit 2004 zhvillon gërmime arkeologjike me karakter shkencor, u është rikthyer sërish gërmimeve në fillim të korrikut ku synohet të vazhdohet për hapjen e plotë të arenës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë