Treg

AMF përcakton kushtet e sigurimit të detyrueshëm në ndërtim

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar dokumentin që përcakton elementët dhe kushtet që duhet të plotësohen për sigurimin e detyrueshëm 10 vjeçar të çdo ndërtimi të ri.

Referuar dokumentit limiti i përgjegjësisë/shuma e sigurimit të kontratës së sigurimit përcaktohet në policën e sigurimit dhe nuk mund të jetë më i ulët se çmimi i shitjes i përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë së paluajtshme.

Shoqëria e sigurimit, dëmshpërblen në vlerë monetare të siguruarin/përfituesin për dëmet që ai ka pësuar si pasojë e ndodhjes së ngjarjes së sigurimit. Dëmshpërblimi nuk kalon në asnjë rast limitin e përgjegjësisë të caktuar në policën e sigurimit në bazë të pjesës taksuese të njësisë individuale dhe atë të caktuar për palën e tretë” thuhet në dokument.
Periudha e vlefshmërisë së kësaj kontrate përcaktohet në policën e sigurimit me efekt 10 vjeçar nga data e marrjes së certifikatës së përdorimit nga kontraktuesi.

Pagesa e primit bëhet nga kontraktuesi ndërkohë që primi i sigurimit shënohet në policën e sigurimit.

Për atë se çfarë mbulohet për dëme të ndodhura drejtpërdrejt në ndërtesë, shoqëria e sigurimit detyrohet të dëmshpërblejë të siguruarin/përfituesin për dëmtime të ndodhura drejtpërdrejtë në ndërtesë, në rast të ndodhjes së: Shembjes tërësore ose pjesore të ndërtesës; apo Ndërtesa paraqet dukshëm rrezik për t’u shembur; Defekteve serioze/të rënda në ndërtim; të cilat ndodhin si pasojë e problemeve të lidhura me të metat e tokës mbi të cilën është kryer ndërtimi ose për shkak të një apo disa defekte të ndërtimit” thuhet në dokument.

Për dëmet e ndodhura drejtpërdrejtë në ndërtesë përjashtohen; dëmet që kanë ndodhur si pasojë e kryerjes së ndërhyrjeve në ndërtesë pas marrjes së certifikatës së përdorimit; janë të natyrës estetike, përfshirë edhe ndryshimet e ngjyrave; kanë ndodhur si pasojë e kryerjes së ndërhyrjeve të mirëmbajtjes të ndërtesës, si dhe ato për shkak të mos kryerjes së mirëmbajtjes apo mirëmbajtjes të pamjaftueshme, pas datës së nënshkrimit të kësaj kontrate sigurimi; janë shkaktuar nga zjarri, shpërthimi, përveç rasteve kur ato janë pasojë e ngjarjes të siguruar; janë shkaktuar nga tërmeti, përmbytja dhe ngjarje të tjera të ngjashme natyrore.

Po ashtu përjashtohen dëmet që kanë ndodhur nga valët e presionit të shkaktuara nga aeroplanët ose pajisjet e tjera ajrore udhëtimi me shpejtësi sonike ose supersonike, apo rënia e avionit ose pajisjeve të tjera të avionit ose objekteve të rëna prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë