Treg

AMF nxjerr për konsultim regjistrimin e sigurimit të mjeteve në Regjistrin Elektronik

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar dhe ka nxjerrë për konsultim publik  një projekt-rregullore për identifikimin dhe raportimin e të dhënave në kontratat e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve lëvizëse.

Në zbatim të ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” është reflektuar në rregullore detyrimi i “shoqërive të sigurimit, agjentëve/shoqërive të agjentëve që të plotësojnë të gjitha rubrikat e policës së sigurimit, duke përfshirë numrin e telefonit dhe adresën e e-mailit të pronarëve apo përdoruesve të mjeteve të listuar në policën e sigurimit TPL”.

Kjo pasi këto të dhëna do të përdoren për të njoftuar pronarët e mjeteve të transportit 15 ditë përpara mbarimit të policës ekzistuese të sigurimit.

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i procedurave të funksionimit, identifikimit dhe raportimit të të dhënave të shitjes së kontratave të sigurimit të detyrueshëm në Regjistrin Elektronik Online të Shitjeve. Në projekt-rregullore përveç reflektimit të ndryshimeve ligjore, në anekset e saj janë specifikuar të gjitha procedurat e shitjes dhe raportimit të kontratave të sigurimit, me qëllim zbatimin korrekt të tyre.

Rregullorja saktëson se polica e sigurimit identifikohet nëpërmjet numrit unik të gjeneruar automatikisht nga Regjistri dhe printohet në hapësirën përkatëse të policës. Ky numër unik duhet të fillojë çdo vit me dy shifrat e fundit të vitit aktual. Polica e sigurimit të detyrueshëm mund të verifikohet në faqen zyrtare të Autoritetit.

Në pjesën e fundit, rregullorja përcakton rastet e shkeljeve dhe sanksionimet përkatëse. Kështu, rastet e evidentimit të policave të sigurimit të detyrueshëm të paidentifikuara, me numrin unik në Regjistër, rastet me numër identifikimi të dubluar, rastet me numër identifikimi jo korrekt, rastet e verifikimit të ndryshimeve të të dhënave të raportuara në krahasim me ato të printuara, rastet e cënimit të sigurisë së sistemit, përbëjnë shkelje të dispozitave ligjore në fushën e sigurimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë