Treg

AMF gati rregulloret për kriptomonedhat. 20-90 mln lekë për licensim

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, ka publikuar projekt-rregulloret e para në mbështetje të ligjit për tregun e kriptomonedhave, të miratuar vitin e kaluar.

Projekt-rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, synon përcaktimin e rregullave të detajuara në lidhje me mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta që mbulojnë përgjegjësinë  e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si agjent, bursë dhe kujdestar i portofolit të palëve të treta.

Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë (blockchain) duhet të sigurojnë një nivel të mjaftueshëm të kapitalit rregullator, i cili duhet të jetë në çdo kohë të paktën sa vlera më e lartë mes nivelit minimal të kapitalit i përcaktuar në ligj për subjektet e që veprojnë në tregun e kriptovalutave, (ku përfshihen agjenti i Tokenit Digjital (TD), bursat DLT dhe kujdestarët e portofolit të palëve të treta), ose sa një e katërta e shpenzimeve të përgjithshme fikse të vitit paraardhës, të rishikuara çdo vit.

Kapitalizimi mund të përmbushet përmes fondeve të vetë subjektit ose një police sigurimi për mbulimin e përgjegjësisë profesionale.

Një bursë DLT duhet të vërtetojë kapitalin fillestar minimal prej 20 deri në 90 mln lekë, sipas licensës që kanë.  Agjentët TD dhe kujdestarët e portofolit e palëve të treta, kapitali minimal duhet të jetë të paktën 18 mln lekë.

Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e blockchain mund të mbulojnë përgjegjësinë e tyre profesionale përmes një police sigurimi e cila ka një afat fillestar jo më pak se një vit dhe ka një periudhë njoftimi për anulimin e saj prej të paktën 90 ditësh.

Polica e sigurimit duhet të përfshijë mbulimin kundrejt rrezikut të humbjes së dokumenteve, paraqitjes së informacionit të rremë apo mashtrues, veprime ose mosveprime që rezultojnë në shkelje të detyrimeve ligjore dhe rregullatore, humbjet që vijnë nga ndërprerja e veprimtarisë së shoqërisë ose dëmtimet e sistemit, humbjes që vjen nga moszbatimi i politikave dhe rregullave në kuadër të ruajtjes së të dhënave ose sulmeve kibernetike, etj.

Ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” u miratua në maj të vitit të kaluar dhe hyri në fuqi duke filluar nga data 1 shtator 2020. Ky ligj nuk ka qenë funksional dhe asnjë subjekt nuk është licensuar për shkak të mungesës së akteve nënligjore që nuk përcakton detaje operimi dhe penalitetet. Gjithsesi, aksesi në bursat online nuk ka qenë kurrë i kufizuar për vendin tonë dhe shqiptarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë