Treg

AMF: Bursa e kapitalit mund të ndihmojë kompanitë shtetërore të gjejnë financime

Nga Gazeta ‘SI’-  “Kompanitë shtetërore të udhëheqin privatin”, ka qenë prej disa kohësh thirrja e Autoritetit Mbikëqyrjes Financiare, AMF, si alternativa që do të mund të zhvillojë shpejt dhe shëndetshëm Bursën e kapitalit në Shqipëri.

Pak ditë pas prezantimit të planit 5-vjeçar për zhvillimin e këtij tregu, i paralizuar prej kohësh, AMF tregon për Gazetasi.al arsyet pse duhet të “binden” shoqëritë me kapital shtetëror të bëhen pjesë e Bursës.

Sipas përfaqësuesve të AMF-së, fillimisht, një lëvizje e tillë do të ishte një nisje e mbarë, pasi ndikon në zhvillimin tërësor të tregut, duke tërhequr nga pas edhe kompanitë private.

“Ky lloj emetimi do të  shërbente si shembull për emetime nga të tjerë me kapital privat, duke ndihmuar që ky treg të bëhet pjesë integrale e rëndësishme e sistemit financiar shqiptar. Kjo praktikë është ndjekur edhe nga vende të tjera të rajonit duke rezultuar me efekte pozitive për ekonominë dhe zhvillimin e tregjeve të kapitalit të këtyre vendeve.”

Por, në të mirë të vetë kompanive, Autoriteti përmend se tregtimi i titujve do të jetë një burim i ri financimi për to.

“Disa operatorë ekonomikë shtetërorë do të ishin kandidatë potencialë për listim në Bursë, pasi janë operatorë që kanë nevojë për financim. Në këtë mënyrë këto kompani mund të gjenerojnë likuiditet jo vetëm përmes emetimit të aksioneve, por edhe përmes emetimit të obligacioneve, si një formë më e shpejtë e aksesit në kapital”, shpjegon AMF. 

Gjithsesi, nga kjo nxitje, nuk përfitojnë vetëm kompanitë. Investitorët individualë apo institucionalë, si në fondet e investimit apo të pensioneve, do të përballen me opsione të reja investimi, duke diversifikuar portofolet e tyre dhe duke zgjeruar më tej tregun financiar.

Publiku do të përfitojë edhe nga transparenca.

Duke u rikthyer në debatet e mosfunksionimit të bursës së kapitalit në vendin tonë, shpeshherë ekspertët përmendnin mungesën e transparencës dhe mungesën e vullnetit të vetë kompanive për të qenë transparente. Kjo do të marrë fund.

“Emetimi i obligacioneve me ofertë publike nga ana e kompanive shtetërore shoqërohet me një sërë avantazhesh që lidhen me rritjen e mundësive për diversifikim të burimeve të financimit të kompanive me kapital shtetëror si dhe përmirësimin e qeverisjes korporative dhe rritjen e transparencës së këtyre kompanive ndaj publikut, kjo pasi si rezultat i listimit të tyre në bursë këto kompani do të jenë subjekt i kërkesave për transparencë dhe do të ketë detyrimin të japin informacion periodik dhe të vazhdueshëm për investitorët dhe publikun”, tregojnë përfaqësuesit e Autoritetit, duke kujtuar se ka një sërë kriteresh që duhet të përmbushen fillimisht, nga plotësimi i kuadrit ligjor dhe rregullator, si dhe infrastrukturën e tregtimit dhe atë të pastregtimit.

AMF rikujton se një ndër pesë pikat e strategjisë për tregjet e kapitalit, është edhe emetimi i obligacioneve të gjelbra, “green”, që do të përfshijë dhe ndihmojë veçanërisht kompanitë e fokusuara në sektorin e energjisë së rinovueshme apo sektorë me rol për një ekonomi të qëndrueshme.

E rikthyer në jetë në vitin 2017, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE duket se po bëhet fokusi kryesor i autoriteteve financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, si një instrument që sjell avantazhe për emetuesit dhe investitorët. Pak javë më parë, FMN, i sugjeroi AMF-së të ketë në vëmendje pikërisht këtë treg.

Ndërkohë, në fund të muajit maj, në një tryezë diskutimi, kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete prezantoi dokumentin e strategjisë së zhvillimit të këtij tregu dhe tregoi pesë qëllimet që AMF synon të realizojë deri në vitin 2025; Rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, listimi i kompanive me kapital shtetëror, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë