Editorial

Amerikanët hyjnë në zgjedhjet e 30 qershorit

Rudina Hajdari do të krijojë një parti me të cilën opozita e re do të hyjë në zgjedhje. Ky ishte lajmi i fundjavës, që në fakt lajm nuk është.

Prej një muaji në Parlament, Rudina Hajdari veç opozitës ndryshe nga ish-grupi i saj parlamentar, tashmë jashtë sistemit politik, ka bërë thirrje e deklarata që opozita do të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Pyetja që shtrohej ishte: Si? Si do të hynte në zgjedhje një parti apo një grup partish që dolën me dëshirë jashtë Kuvendit, që me dëshirë dhe vendosmëri thonë se nuk do të shkojnë në asnjë palë zgjedhje me Kryeministër Edi Ramën dhe me kushtet aktuale? Nesë jo opozita e vjetër, si do të hynte në zgjedhje opozita e re, një grup individësh pa ndonjë lidhje të fortë politike mes tyre, veç faktit që ndodheshin për arsye nga më të ndryshmet në të njëjtën listë zgjedhore të ish-partisë së tyre?

Përgjigja është e thjeshtë: Duke krijuar një parti. Dhe tani partia me sa duket po krijohet dhe shumë shpejt do të jetë realitet.

Pas kësaj, ka disa pyetje që shtrohen: Së pari, kush po e mbështet krijimin e një alterantive si ndaj pushtetit, por më teper ndaj opozitës jashtë parlamentare? A do të mund opozita e re të jetë aq bindëse sa për të fituar në zgjedhje qoftë edhe një bashki apo një mazhorancë në një këshill bashkiak kur përballë ka një parti fort të strukturuar dhe një eksperiencë zgjedhore 30-vjeçare?

Përgjigja për pyetjen e parë plotëson një pjesë të pikëpyetjeve edhe për të dytën.

Që nga fillimi i krizës, faktori ndërkombëtar është rreshtuar në unison kundër vendimeve të opozitës për të lënë mandatet, për të dalë nga sistemi dhe për të bojkotuar zgjedhjet lokale. Ata kanë dënuar çdo veprim të fortë politik e çdo protestë të dhunshme, kanë ftuar deputetët që të mos u binden vendimeve të lidershipit PD-LSI, kanë bërë thirrje që këto të mos pengojnë vendimet e atyre që duan të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë dhe së fundi, kanë apeluar për regjistrim masiv të kandidatëve dhe partive në zgjedhje.

Rudina Hajdari është një person që nuk ka asnjë background politik, por mbart mbi vete mbiemrin e një simboli të lëvizjeve demokratike. Një person si Azem Hajdari, që e pati të shkurtër jetën politike, por që la shenjë më shumë se 90 përqind e grupit të tanishëm politik që drejton opozitën jashtë parlamentare.

Rudina Hajdari nga ana tjetër, jo thjesht për faktin se vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo thjesht se ka edhe nënshtetësi amerikane, por edhe për arsye të tjera që nuk dihen, është konsideruar që ditën e parë kur hyri në listat e PD-së si një investim amerikan. Lulzim Basha dhe Sali Berisha duhet të jenë lodhur duke dëgjuar çdo amerikan që vizitonte zyrat e tyre dy vitet e fundit t’i përmendnin veç emrin e saj dhe të asnjë tjetri në PD.

Shumëkush u tall dhe qeshi me deklaratën se për të vendosur refuzimin e daljes nga Kuvendi, Rudina Hajdari tha se është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë. Vizita e zëvendësndihmës sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë mund të ketë shuar shumë pikëpyetje dhe fashitur humorin e shumëkujt.

Nisur nga qëndrimet publike të ambasadave, të Brukselit dhe të Uashingtonit, nisur nga qëndrimet e forta të Palmerit, nisur nga mbështetja pa kufizime publike për "tradhëtarët" e aksionit ekstrem të opozitës zyrtare, lëvizja e fundit e Rudina Hajdarit duket një investim i fortë amerikan. Shqipëria është një vend i vogël, pa ndonjë peshë specifike në skakierën botërore të interesave amerikane, të cilët interesin më të madh në Ballkan kanë ruajtjen e stabilitetit rajonal. Kushdo që cenon sadopak këtë interes kalon në listat gri e më pas në librat e zinj të Uashingtonit. Detaj që ka shtuar agresivitetin verbal dhe qëndrimet pa dorashka në rastin e Shqipërisë është edhe reforma në drejtësi, një investim burimesh njerëzore, burimesh financiare, kohe dhe energjie e investuar në një vend të vogël, për të cilën ata presin të marrin edhe rezultatet.

Për këto arsye, të lodhur me lojërat e vogla të politikanëve të korruptuar shqiptarë, që veç kokëçarje kanë sjellë në tre dekada të gjata tranzicioni tipik Ballkanin, SHBA po tenton çarjen e sistemit hermetik politik shqiptar nga jashtë, për të nxjerrë jashtë loje partitë e vjetra. Pjesën tjetër, presin ta bëjnë strukturat e reja të drejtësisë, SPAK më së pari.

Për këto arsye, partia e re e Rudina Hajdarit dhe gjithë të përjashtuarve të Bashës, që mund të mblidhen rreth saj, ngjan me hyrjen në zgjedhje të vetë amerikanëve. Më shumë se sa fitoren, ata duket se kanë besueshmërinë e një procesi, që siç e deklaroi edhe zoti Palmer, me apo pa PD-LSI, do të njihet nga SHBA dhe që SHBA do të bashkëpunojë fort me të zgjedhurit e ardhshëm.

Gati 40 vjet më parë, teksa diskutohej kriza dhe interesat amerikane në Amerikën Latine, stafi i ngushtë pyeste një President amerikan për një nga diktatorët e shumtë: çdo të bëjmë me atë birin e kurvës? Përgjigja ishte epike, ka mbetur në anale dhe shpjegon shumë për mbrojtjen që SHBA-të u bëjnë interesave të tyre: Po, ashtu është, por është biri ynë i Kurvës!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë