Kosova

Amerika uron Kosovën: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë thelbësor për forcimin e stabilitetit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar popullin e Kosovës për 15-vjetorin e pavarësisë, dhe ka rikonfirmuar partneritetin mes dy vendeve.

Ai ka thënë se pret vazhdim të bashkëpunimit për forcim të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër, është thelbësor për këtë gjë. Marrëveshja e propozuar së fundi në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e ka mbështetjen tonë të madhe dhe ajo do të drejtojë shtetin tuaj drejt një stabiliteti më të madh rajonal dhe integrimeve evropiane e euro-atlantike”, ka thënë Blinken.

I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.

Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.

Në një draft aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashikohen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Gjithashtu Kosovën e ka uruar edhe Ambasadori Jeff Hovienier.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë!”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Ai tha se ka pasur privilegjin dhe nderin të jetë pjesë e historisë së përbashkët, duke parë Kosovën duke bërë hapa të mëdhenj gjatë 15 vjetëve të fundit.

“Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen tonë të hershme dhe të qëndrueshme  dhe për partneritetin me popullin kosovar”, deklaroi Hovenieri.

Ai rikujtoi se vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë, me 18 shkurt 2008, SHBA-ja edhe formalisht njohu pavarësinë e Kosovës si shtet të pavarur e sovran.

Hovenier citoi ish Sekretaren e Shtetit të SHBA-së në atë kohë, Condeelezza Rice të ketë thënë: “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, do të vërtetojë lidhjet e posaçme të miqësisë që kanë bërë bashkë popullin e SHBA-së dhe Kosovës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë