Analize

Amerika nuk duhet të heqë dorë nga bota që krijoi

Nga Fareed Zakaria - Shumica e amerikanëve mendojnë se vendi i tyre është në rënie. Në vitin 2018, kur Qendra Kërkimore Pew pyeti amerikanët se si mendonin se do të ishte vendi i tyre në vitin 2050, 54 për qind e të anketuarve thanë se ekonomia amerikane do të ishte më e dobët.

Një numër edhe më i madh, 60 për qind, thanë se Shtetet e Bashkuara do të ishin më pak të rëndësishme në skenën botërore. Dhe kjo s’duhet të jetë befasuese. Prej disa kohësh, atmosfera politike është e përshkuar nga ndjenja se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Sipas një sondazhi të madh të Gallup, pjesa e amerikanëve që janë “të kënaqur” me mënyrën se si po shkojnë gjërat, nuk i ka kaluar asnjëherë 50 për qind në 20 vitet e fundit.

Aktualisht kjo normë është 20 për qind. Por pavarësisht debateve mbi krizën dhe rënien e SHBA-së si një fuqi globale, realiteti është krejt ndryshe. Sidomos kur krahasohet me vendet e tjera të pasura. Në vitin 1990, të ardhurat për frymë të Shteteve të Bashkuara (të matura në termat e fuqisë blerëse) ishin 17 për qind më të larta se ato të Japonisë, dhe 24 për qind më të larta se të Evropës Perëndimore.

Sot është përkatësisht 54 për qind dhe 32 për qind më i lartë. Në vitin 2008, ekonomia amerikane dhe ajo e eurozonës ishin afërsisht të njëjta. Sot ekonomia amerikane është gati 2 herë më e madhe se e eurozonës. Ata që fajësojnë politikat e Uashingtonit për dekadat e stanjacionit, mund t’u bëhet një pyetje:Me cilën ekonomi të përparuar do të dëshironin të kishin ndërruar vendet Shtetet e Bashkuara gjatë 30 viteve të fundit?

Vendi ynë gjendet në një pozitë të jashtëzakonshme edhe sa i përket fuqisë së fortë. Historiani ekonomik Angus Maddison ka argumentuar se fuqia më e madhe në botë, është shpesh ajo që ka epërsinë më të fortë në teknologjitë më të rëndësishme të kohës.

Pra Holanda në shekullin XVII, Britania e Madhe në shekullin XIX dhe Shtetet e Bashkuara në shekullin XX. Dhe Amerika e shekullit XXI mund të jetë edhe më e fortë. Në vitin 1989, vetëm 4 nga 10 kompanitë më të vlefshme në botë ishin amerikane, dhe 6 të tjerat ishin japoneze. Sot, 9 nga 10 të parat janë amerikane.

Për më tepër, 10 kompanitë më të vlefshme të teknologjisë amerikane vlejnë më shumë sesa vlera e kombinuar e kompanive në bursat e Kanadasë, Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Dhe nëse Shtetet e Bashkuara dominojnë plotësisht teknologjitë e së tashmes - të përqendruara tek digjitalizimi dhe interneti - do të kenë sukses në industritë e së ardhmes, si Inteligjenca Artificiale dhe bioinxhinieria.

Që nga fillimi i këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 26 miliardë dollarë për startup-et e Inteligjencës Artificiale, ose rreth 6 herë më shumë se Kina që renditet e dyta. Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara kryesojnë në atë që ka qenë historikisht një atribut kryesor i forcës së një kombi: energjia.

Sot, ajo është prodhuesi më i madh në botë i naftës dhe gazit, madje përpara Rusisë apo Arabisë Saudite. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara po e zgjerojnë masivisht prodhimin e energjisë së gjelbër, pjesërisht falë stimujve në Aktin e Reduktimit të Inflacionit të vitit 2022.

Së fundi, demografia parathotë një të ardhme të ndritur.

Në mesin e ekonomive të përparuara të botës, vetëm profili i saj demografik është mjaftueshëm i shëndetshëm, edhe pse është përkeqësuar vitet e fundit. Shkalla e lindshmërisë në SHBA është aktualisht rreth 1.7 fëmijë për grua, nën nivelin e zëvendësimit të vdekjeve që është 2.1.

Por mbetet gjithsesi shumë më lart se norma 1.5 e Gjermanisë, 1.1 e Kinës dhe 0.8 e Koresë së Jugut. Ç’është më e rëndësishmja, SHBA-ja synon ta kompensojë pjellorinë e ulët nëpërmjet imigrimit dhe asimilimit të suksesshëm. Vendi pranon rreth 1 milion emigrantë të ligjshëm çdo vit. Një në pesë nga të gjithë njerëzit larg vendit të tyre të lindjes, jetojnë në Shtetet e Bashkuara, dhe popullata emigrante këtu është 4 gati herë më e madhe se ajo e Gjermanisë, qendra tjetër më e madhe e migracionit.

Sigurisht, Shtetet e Bashkuara kanë edhe shumë probleme. E cili vend nuk ka? Por ajo zotëron burimet për t’i zgjidhur këto probleme shumë më lehtë se shumica e vendeve të tjera. Qeveria amerikane mund të mbledhë të ardhura të mjaftueshme për të stabilizuar financat e saj, dhe për të mbajtur një normë tatimore relativisht të ulët.

Por pavarësisht fuqisë së saj, Shtetet e Bashkuara nuk po drejtojnë një botë unipolare. Vitet 1990 ishin një botë pa konkurrentë gjeopolitikë. Bashkimi Sovjetik po shembej dhe Kina ishte ende një ‘foshnje’ në skenën ndërkombëtare, duke gjeneruar më pak se 2 për qind të PBB-së globale.

Mendoni se çfarë ishte në gjendje të bënte Uashingtoni në atë epokë. Për të çliruar Kuvajtin,  luftoi kundër Irakut me një mbështetje të gjerë ndërkombëtare, përfshirë miratimin e Moskës. Ajo i dha fund luftërave jugosllave. Bindi Organizatën për Çlirimin e Palestinës të hiqte dorë nga terrorizmi dhe të njihte Izraelin, dhe kryeministrin izraelit Yitzhak Rabin të bënte paqe dhe të shtrëngonte duart në Shtëpinë e Bardhë me liderin e OÇP, Yasser Arafat.

Por sot Shtetet e Bashkuara përballen me një botë me konkurrentë të vërtetë dhe me shumë vende të tjera që pohojnë me forcë interesat e tyre, shpeshherë në kundërshtim me Uashingtonin. Për të kuptuar dinamikën e re, marrim si shembull jo Rusinë apo Kinën, por Turqinë.

Tridhjetë vjet më parë, Turqia ishte një aleate e bindur e SHBA-së, e varur nga Uashingtoni për sigurinë dhe prosperitetin e saj. Sa herë që kalonte një nga krizat e saj ekonomike periodike, Shtetet e Bashkuara e ndihmuan të shmangte kolapsin.

Sot, Turqia është një vend shumë më i pasur dhe më i pjekur politikisht, i udhëhequr nga një udhëheqës autoritar, popullor dhe populist, Recep Tayyip Erdogan. Ajo e sfidon vazhdimisht e Bashkuara, ndërsa Uashingtoni është i papërgatitur për këtë ndryshim.

Duke parë vende të tilla si India, Arabia Saudite dhe Turqia që tregojnë muskujt e tyre, mund të imagjinohet sikur bota është shumë-polare. Kina është padyshim fuqia e dytë më e madhe e botës, dhe hendeku midis dy vendeve të para dhe pjesës tjetër të botës është i rëndësishëm. Por edhe fuqia e Kinës ka kufizimet e veta, që rrjedhin nga faktorë që shkojnë përtej demografisë. Ajo ka vetëm një aleat me traktat, Korenë e Veriut, dhe një pjesë të vogël aleatesh informalë, si Rusia dhe Pakistani. Ndërkohë SHBA-ja ka dhjetëra aleatë.

Në Lindjen e Mesme, Kina nuk është shumë aktive, pavarësisht një suksesi të fundit në ndërmjetësimin e rivendosjes së marrëdhënieve midis Iranit dhe Arabisë Saudite. Në Azi, ajo është ekonomikisht e kudondodhur, por nxit edhe reagime të vazhdueshme nga vende si Australia, India, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Vendet e tjera janë rritur për sa i përket burimeve, duke ushqyer besimin, krenarinë dhe nacionalizmin e tyre. Edhe ata ka të ngjarë të prezantojnë veten më me forcë në skenën botërore. Pra rendi ndërkombëtar që ndërtoi dhe mbështeti SHBA-ja po sfidohet në shumë fronte. Por ajo mbetet ende lojtarja më e fuqishme.

Pjesa e saj në PBB- në globale mbetet afërsisht ajo që ishte në vitet 1980-1990. Dhe më e rëndësishmja:ka grumbulluar akoma më shumë aleatë. Ndërkohë e meta më e madhe në qasjet e Trump dhe Biden ndaj politikës së jashtme, buron nga pikëpamjet e tyre të ngjashme pesimiste.

Të dy supozojnë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë viktima e madhe e sistemit ekonomik ndërkombëtar që krijoi. Se vendi nuk mund të konkurrojë në një botë të tregjeve të hapura dhe tregtisë së lirë. Ndaj është e arsyeshme të vendosen disa kufizime në qasjen e Kinës në eksportet e teknologjisë më të lartë të Shteteve të Bashkuara.

Por Uashingtoni ka shkuar shumë më larg, duke vendosur tarifa edhe për aleatët e tij më të afërt për mallrat dhe mallrat, nga lënda drusore, çeliku dhe deri tek lavatriçet. Rendi botëror që propozoi, krijoi dhe drejtoi ishte i mirë për Shtetet e Bashkuara, por edhe për pjesën tjetër të botës.

Ai u përpoq të ndihmonte kombet e tjera të kishin më shumë pasuri, besim dhe dinjitet.

Kjo mbetet edhe forca më e madhe e Shteteve të Bashkuara. Në rast se ajo e refuzon këtë vizion të gjerë, të hapur, bujar të botës për shkak të frikës dhe pesimizmi, do të kenë humbur një pjesë të madhe të avantazheve të saj natyrale.

Me gjithë vështirësitë e brendshme, Shtetet e Bashkuara mbeten mbi të gjitha të tjerat të afta dhe të mirë-pozicionuara për të luajtur një rol qendror në mbështetjen e këtij sistemi ndërkombëtar. Për sa kohë që Amerika nuk e humb besimin në projektin e saj, rendi aktual ndërkombëtar mund të lulëzojë edhe për dekadat e ardhshme.

Burimi: Foreign Affairs/ Përshtati: Gazeta Si

Shënim: Fareed  Zakaria, moderator në televizionin CNN, dhe autor i librit më të ri “Epoka e Revolucioneve: Progresi dhe regresi nga viti 1600 deri më sot”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë