Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e ndërtimit të një gazsjellësi gjigand në Kosovë, i cili do të sjellë gazin e lëngshëm nga Greqia, në Maqedoninë e Veriut dhe më pas në Prishtinë. Për këtë çështje investimi, qeveria ka zhvilluar takime me korporatën amerikane MCC, por bisedimet me dy palëve duket se nuk kanë shkuar mirë.
Mediat në Kosovë shkruajnë se qeveria e kryeministrit Albin Kurti i ka mbyllur derën këtij investimi duke vënë kushte të papranueshme për amerikanët. Vlera e projektit mësohet se është mbi 200 milionë euro.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha një ditë më parë se ky plan po shqyrtohet nga agjencia amerikane MCC, por nuk dha detaje mbi bisedimet dypalëshe. Ajo tha se është duke u diskutuar ndërtimi i infrastrukturës së gazsjellësit, i cili do t’i jepte qasje Kosovës përmes Maqedonisë së Veriut në tregun e gazit natyror në Greqi.
Ajo nuk ka pranuar të komentojë nëse Kosova ka vënë kushte të vështira dhe nuk ka dhënë një përgjigje nëse plani është ende në tryze.
Kjo situatë e paqartë u kritikua nga opozita në vend. Sipas ish-deputetes Melihate Tërmkollit, me deklaratat e saj Rizvanolli mjegulloi edhe më shumë çështjen e gazsjellësit.
Kritika për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, ka pasur edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku.
Ajo ka thënë se kjo çështje, përveç në aspektin ekonomik, ka ndikim edhe në fushën politike. Ajo shprehet se ky projekt duhet të pritet krahëhapur.
Kosova prodhon energji duke përdorur djegien e thëngjillit, që llogaritet si një prej kontribuuesve kryesorë në ndotjen e ajrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




