Gazeta Si – Piloti i Aston Martin në Formula 1, Sebastian Fetel, është gjithmonë e më i përfshirë në iniciativat për mbrojtjen e biodiversitetit. Pas ‘hotelit të bletëve’, ai është bërë ambasador i projektit ‘BEESandAPPLE’.
Një milionë lule për të ushqyer biodiversitetin dhe për të ndihmuar bletët të… bëjnë punën e tyre. Kjo është iniciativa e re bamirëse për pilotin Sebastian Fetel. Katër herë kampioni i botës në F.1 është në fakt një nga mbështetësit e projektit gjerman “BEESandAPPLE”, që përfshin personazhe me famë ndërkombëtare, si dhe Parlamentin e Bashkimit Europian.

Në krah të 34-vjeçarit janë edhe tenisti Dominik Thiem, muzikanti Sting dhe një sllogan: T’i bëjmë bletët të gumëzhijnë! Objektivi i iniciativës që ka lindur në Mynih është që të ndihmohen bletët në rolin e tyre të pjalmimit, thëlbësor jo vetëm për mjaltin, por edhe për prodhimin e frutave dhe perimeve.
Një ‘ndeshje’ kjo që luhet natyrisht edhe në rrjetet sociale, për të sensibilizuar opinionin publik mbi temën e biodiversitetit nëpërmjet hashtag-ve të ndryshme, – një për çdo ambasador të projektit. Në anglisht ata shpqiptojnë fjalën bletë (bee) dhe foljen të jesh (to be): #BEEaHero (bëju një hero) është hashtagu i Fetelit, heroit të timonit, që është vënë në shërbim të ambientit.
“Të jemi të përgjgegjshëm për të ardhmen tonë, – thotë piloti i Aston Martin, – nuk do të thotë se duhet të sakrifikojmë cilësinë e jetës sonë. Do të thotë të gjejmë mënyra për t’u argëtuar, për ta shijuar jetën në mënyrë të ndërgjegjshëm, duke mbrojtur natyrën. Jam bërë ambasador i “BEESandAPPLE”, sepse dua që të gjithë ta dinë se veprimet personale mund të bëjnë diferencën”.

Mbështetja e kësaj iniciative, që ka si qëllim të ndihmojë autonominë e Gjermanisë në prodhimin e frutave dhe perimeve (importon nga jashtë 78% të nevoja vjetore në fruta) është impenjimi i fundit humanitar i Sebastianit. Ai ka mbështetur më parë edhe kauzën LGBTQ+, me kaskë dhe simbolin ylber, ka kritikuar ashpër Rusinë për pushtimin e Ukrainës, si dhe vende si Arabia Saudita rreth çështjes të të drejtave të njeriut.
Piloti gjerman ka financuar gjithashtu ndërtimin në Austri të “hotelit të bletëve”, që garanton një ambient të mbrojtur për jetën dhe riprodhimin e bletëve. Fetel është impenjuar edhe personalisht për të mbledhur mbetjet plastike në pistë pas garës së Silverston në Britaninë e Madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




