Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë që ta shndërrojnë Shqipërinë në një portë të rëndësishme të hyrjes së gazit të saj në tregun europian dhe për të realizuar këtë objektiv, këtë të mërkurë përfaqësues të një grupi kompanish amerikane e europiane zhvilluan një takim me përfaqësues të qeverisë shqiptare.
E pranishme në këtë takim ishte edhe Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Ajo vuri theksin te nevoja për sigurinë energjitike dhe shkëputja nga varësia e gazit rus.
“Pushtimi i Rusisë ka bërë të qartë se diversifikimi i burimeve të energjisë nuk pret më, ndaj lind nevoja të kemi më shumë gazsjellësa. Siguria energjetike ka qenë gjithnjë e lidhur me sigurinë kombëtare dhe ajo që po jetojmë sot e bën edhe më të dukshme. Tani është koha për të vepruar”, tha ambasadorja.
Diskutimet me përfaqësues të kompanive amerikane dhe europiane po përqëndrohen te identifikimi i projekteve, fizibiliteti i tyre dhe ngritja e infrastrukturës që nuk do të shërbejë vetëm për vendin tonë, por për rajonin dhe Europën.
Njërin prej këtyre projekt-ideve e bëri publike ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku.
“Projekti ynë, ku një nga komponentët kryesorë është lidhja e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë nëpërmjet tubacionit Fier-Vlorë ka tërhequr vëmendjen e aktorëve më të mëdhenj të sektorit të gazit. Deri para pak kohësh injektimi i gazit të lëngshëm nga Vlora në TAP do të ishte pritur me shumë skepticizëm. Sot për shkak të pasojave të krizës energjetike, është e mundur e i zbatueshëm, por dhe çelësi fitues i këtij projekti”, tha ajo.
Ministrja u shpreh se ky projekt transformon pozitën e Shqipërisë duke e shndërruar atë në qendër të furnizimit me gaz të Europës dhe një kontribues me peshë në garantimin e sigurisë energjitike.
Sigurisë energjitike iu referua edhe Kryeministri Edi Rama, por me fjalët e ish-Presidentit amerikan, Donald Trump.
“Ai mbajti një fjalim të gjatë se sa e rrezikshme ishte që të mbështeteshe tek gazi rus dhe ai shtoi se ishte për të ardhur keq që të mos gjenim më të mirin, më të bukurin, më mjedisorin për gazin amerikan, por koha dëshmoi se na u desh të përballnim këtë vartësi të tmerrshme dhe pasojat që sjell kjo varësi”, tha Rama.
Objektivi i vendosur nga Kryeministri është shndërrimi i Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë së pastër brenda kësaj dekade.
Për të ilustruar peshën e kompanive të interesuara në këto projekte, Rama iu referua fuqisë financiare të tyre, duke e krahasuar atë me gjithë prodhimin e brendshëm bruto të Shqipërisë.
“Këtu përfaqësoj entitetin më të vogël sa i përket qarkullimit financiar, pra xhiros financiare në një konferencë të tillë dhe më duhet të adresoj një audiencë, që së bashku ka një qarkullim vjetor një mijë herë më të lartë sesa PBB-ja e Shqipërisë, ose ndoshta e ekzagjerova, ndoshta jo, nuk e di, por sidoqoftë si lojtari më i vogël në këtë sallë”, tha ai.
Sa për projektet, Rama foli për një intersim të lartë të presidentin azer, Ilham Aliyev, me të cilin u takua disa ditë më parë, për t’u përfshirë në tubacionin Joniano-Adriatik, një projekt që është degë e TAP për në veri të Ballkanit, duke përfshirë Malin e Zi, Kosovën e deri në Kroaci.
“Ky tubacion mund të jetë një tjetër ndryshues i madh i lojës për rajonin tonë, por që në të njëjtën kohë mund të jetë dhe një fuqi, energji e re për Europën që sa më shpejt të jetë e mundur të fitojë një pavarësi prej gazit rus”, tha Rama.
Projekti tjetër i theksuar nga Rama është puna e nisur për të shndërruar me gaz termocentralin e Vlorës, përmendi gjithashtu investimet në energjinë diellore, atë eolike (të erës) dhe projektin më madhor të një kompanie amerikane në vend, Hidrocentralin e Skavicës.
“I cili do të rrisë me 20 për qind prodhimin e energjisë nga uji, pra dhe në të njëjtën kohë do të na lejojë dhe na japë neve një shtytje përpara drejt pavarësisë energjetike”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.