Politike

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk e prisnim shkarkimin e Gledis Nanos. Kush e mendonte Saimir Tahirin në burg!

Gazeta Si – Nga “non grata” e Sali Berishës, takimi me Metën, shkarkimi i Gledis Nanos, deri te rreziku i pastrimit të parave për intergrimin në vend, dënimi i ish-ministrit Saimir Tahiri dhe fundi  pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve.

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka komentuar ngjarjet e fundit dhe më të rëndësishme politike në Shqipëri.

Në një intervistë në emisionin “Opinion”, Kim ka deklaruar se është gati të takohet me të gjithë aktorët politikë në Shqipëri, qoftë edhe ata të opozitës.

Ajo ka zbuluar diskutimet që ka zhvilluar me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë një takimi që ka zhvilluar disa ditë më parë.

Përsa i përket marrëdhënieve me Partinë Demokratike, ambasadorja Yuri Kim ka deklaruar se ajo mbështet institucionet ligjore të saj, teksa përjashtoi sërish mundësinë e bashkëpunimit me ish-kryeministrin Sali Berisha.

 “Non grata” e Berishës dhe takimi me Metën

Ajo theksoi se do të bëjë një kufizim në këtë rast, që vjen me porosi nga Uashingtoni dhe fjala është për personat “non grata”, duke iu referuar Sali Berishës.

“Do të vazhdoj të takohem me një gamë të gjerë drejtuesish politikë nga të gjitha partitë. Kam vetëm një kufizim dhe nuk është kufizim që ia vendos unë vetes, por është kufizim nga Uashingtoni… dhe ai është që nuk do të takohem me dikë që është shpallur ‘non grata’ nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor ose minim të demokracisë”.

Ajo tha se “për ne, si institucion, për mua si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit, unë takohem me njerëzit që njihen nga ligji”, duke iu referuar takimeve me Enkelejd Alibeajn.

Duke folur në lidhje me takimin që pati me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, disa ditë më parë, ambasadorja tha se është normale dhe e rëndësishme që të ketë kontakte me të gjithë aktorët politikë në Shqipëri.

“Folëm për rëndësinë e institucioneve demokratike. Për ne, marrëdhëniet institucionale janë shumë të rëndësishme, sepse ne, e para, duam të sigurohemi që e kuptojmë njëri tjetrin. Së dyti, duam të nxisim njëri tjetrin, mendoj, ta ndihmojmë njëri tjetrin kur ka nevojë ose kur është me vend, që të vazhdojmë ta mbajmë Shqipërinë në rrugën e duhur”.

Megjithatë Kim, ashtu si edhe Meta më herët pranoi se nuk ndanë të njëjtat pikëpamje së bashku me temat që diskutuan.

Akuzat nga SPAK për ish-presidentin

Akuzat ndaj ish-presidentit Meta në SPAK nga persona dhe institucione të ndryshme dhe nëse mendon se kjo është fushatë kundër një partie të opozitës, ambasadorja iu përgjigj duke thënë se ato “i heton SPAK dhe nuk është çështje për diplomatët, politikanët apo gazetarët”.

Shkarkimi i Gledis Nanos

Kim tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e prinin largimin nga detyra të kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Ajo tha se SHBA e vlerësojnë Nanon dhe bashkëpunimin e tij me të dhe në këtë kontekst, komentin që pati në Tëitter pas largimit të tij nga detyra, e cilëson si pohim fakti e jo ndërhyrje në vendimin e qeverisë.

“Ne mendonim se ai ishte një partner i mirë për ne kur drejtonte njësinë kundër terrorizmit. Dhe më pas kur ishte drejtor i policisë. Nuk e prisnim shkarkimin”.

Rreziku i integrimit në BE

Kim vijoi se dhe në raportet ndërkombëtare, vendi ynë mbetet në zonën gri për sa i përket transparencës së parave, që do të thotë se ende ka probleme me transparencën për paratë e krimit.

Ambasadorja theksoi se Shqipëria duhet të vijojë marrjen e masave për të ndaluar pastrimin e parave.

“Futja e parave të krimit në Shqipëri do të vinte në rrezik anëtarësimin në BE”, - paralajmëroi diplomatja.

Më pas Kim u shpreh se Shqipëria ka reputacion të keq sa i përket krimit të organizuar. Ajo pohoi se udhëheqësit shqiptarë duhet të zgjedhin tani kush e ka në dorë këtë vend, “njerëzit e zakonshëm apo kriminelët”.

Kim komentoi edhe nismën e qeverisë për amnistinë fiskale dhe deklaroi se do të kërcënohej integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nëse do të miratohej.

Ajo e ka bërë të qartë se Shqipëria duhet të zgjedhë drejtimin ku duhet të shkojë, duke theksuar rëndësinë e integrimit në BE. Ambasadorja shtoi se është koha që udhëheqësi i vendit të bëjë një zgjedhje të qartë për drejtimin që duhet të marrë vendi.

Reforma në Drejtësi dhe Saimir Tahiri

Kim u shpreh se Reforma në Drejtësi po jep rezultate, ku kohës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi.

Si shembull, ajo solli Saimir Tahirin, për të cilin tha se askush nuk e mendonte se do të shkonte në burg.

“Kur ka qenë hera e fundit kur dy ministra janë futur në burg? A mendoje se Saimir Tahiri do të futej në burg? E vëmë me bast, nuk e mendoje. Jam e sigurtë se pjesa më e madhe e njerëzve mendonin, ja një person që kurrë nuk do të dalë përpara drejtësisë, sepse është i fuqishëm. Ja një person që është i mbrojtur. Apo jo? Asaj kohe pandëshkueshmërie po i vjen fundi. E njëjta gjë tregohet në përcaktimet tona në mbarë botën. Prandaj ideja që kjo drejtësi është selektive, mendoj se pasqyron padurimin dhe dëshirën për të parë drejtësi”, - tha Kim.

Kim theksoi se prej Reformës në Drejtësi, nga dhjetori 2019 dhe gjatë gjithë vitit 2021, SPAK ka mundur të marrë 70 milionë euro asete.

Ajo tha se SPAK deri më sot ka një përqindje dënimesh 90%. Ambasadorja u shpreh se kur SPAK padit dikë në 90% të kohës vendimi është për fajtor dhe personit apo entit i merren asetet dhe njerëzit shkojnë në burg.

Sulmet kibernetike dhe Irani

Ambasadorja tha se është e qartë se iranianët janë të pakënaqur nga vendimi i Shqipërisë për të strehuar ata që kundërshtojnë regjimin iranian.

Por ajo tha se është shumë e rëndësishme që vendi ynë të bëjë punën e tij ashtu si e gjykon më mirë, pa pasur frikë nga kërcënimet e vendeve si Irani.

“Iranianët janë qartazi të pakënaqur nga vendimi i Shqipërisë për të strehuar ata që kundërshtojnë regjimin iranian. Ata janë të padëshirueshëm kudo në botë, sepse sillen kështu. Prandaj ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë, përfshirë edhe duke punuar me ekspertët tuaj për të ndërtuar mbrojtjen tuaj kibernetike dhe për të korrigjuar kërcënimet që mund të kenë ekzistuar”.

Financimet ruse

Ndërkohë diplomatja amerikane ka komentuar edhe financimet ruse në Partinë Demokratike, duke u shprehur se nuk ka më shumë informacione se sa ajo që ka publikuar Uashingtoni. Sipas ambasadores, influence ruse mund të shihet si një tentativë për të minuar demokracinë në vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë