Politike

Ambasadori që foli “shqip e troç”!

Një nga ditët që paraprinë votimin e asaj që u quajt Reforma në Drejtësi, e për të cilën Shtetet e Bashkuara përmes Ambasadorit Donald Lu kishin shpenzuar energji të mëdha, investim politik, por edhe shumë para në ekspertizë, tregohet një histori shumë interesante. Nga njëra anë qëndronte mazhoranca e atëhershme nuk i kishte votat për ta miratuar e vetme paketën ligjore të Reformës dhe nga ana tjetër opozita që po kundërshtonte shumë prej amendimeve kushtetuese.  Ndërsa aktorë në hije, shumë të interesuar ishin ndërkombëtarët, ku protagonistë ishin siç e dinë të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Rreziku ishte i madh që opozita të mos e votonte paketën, në rastin më të mirë të skenarit më të keq, ta vononte e ta shtynte atë përtej limiteve. Situata ishte e jashtëzakonshme dhe në kësi rastesh ndodh që edhe masat të jenë të jashtëzakonshme. Një prej zgjidhjeve që diskutohej në korridoret dhe zyrat e diplomatëve ishte ajo e ndërgjegjësimit të një numri të caktuar deputetësh të opozitës që të devijonin nga linja politike, të thyenin rreshtin, dhe kur të nevojitej, të votonin Reformën në Drejtësi. Njëri syresh ishte edhe Dashamir Shehi, kryetar i LZHK dhe deputet i opozitës i zgjedhur në listat e përbashkëta me Partinë Demokratike.

Një nga ato ditë të nxehta, zoti Shehi merr një ftesë për t’u paraqitur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, ku një zyrtar i saj i lexon një përmbledhje të të gjithë karrierës së tij politike, me detaje që siç do të pohonte mes miqsh zoti Shehi më vonë, edhe ai vetë nuk i mbante mend. Përmbledhja mbyllej me një kërcënim “miqësor” se kush e pengon votimin e Reformës i ka të mbyllura dyert me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, nënkuptimet e “këshillës” amerikane ishin të shumta dhe shkonin edhe përtej “mbylljes së derës”, aq sa tregojnë dëshmitarët, zoti Shehi me humor i thoshte kolegwve që nëse u thërrasin edhe ju, thoni “po” që në fillim, pa filluar amerikani t’ju bëjë biografinë.

****

Kjo është ajo që thuhet se ndodhi dhe që ndoshta ka pasur edhe ndikimin e saj në vijueshmërinë e ngjarjeve korrikun e 2016. Dhe meritat e rezultatit, më shumë se politika shqiptare i kishte pikërisht një amerikan që fliste shqip, ambasadori Donald Lu.

Në marsin e ndryshimeve të vrullshme që kishin nisur në Shqipëri në vitin 1991, Shtetet e Bashkuara të Amerikës rivendosën marrëdhëniet diplomatike me vendin tonë. Fillimisht, përfaqësia e Uashingtonit drejtohej nga i Ngarkuari me Punë, Christopher Hill deri kur William Ryerson do të paraqiste kredencialet si Ambasador më 21 dhjetor të vitit 1991.

Pas Ryerson janë tetë ambasadorë të tjerë amerikanë që kanë mbrojtur jo vetëm interesat e SHBA në vendin tonë, por edhe interesat e kombit shqiptar, që shpesh kërcënoheshin nga vetë shqiptarët.

I fundit prej tyre është Donald Lu. Lu nuk është kryediplomati amerikan më jetëgjatë në Shqipëri, por e sigurtë është që ka qenë më aktivi dhe më i drejtpërdrejti. Ai e paralajmëroi që në prezantimin e parë që do të ishte i tillë, përmes një mesazhi të përcjellë në gjuhën shqipe.

Pasi shpreh lumturinë për përzgjedhjen që i kishte bërë në atë kohë Presidenti Obama dhe pasi prezanton veten si djali i një emigranti nga Kina, që kishte prekur ëndrrën amerikane, Donald Lu flet për ëndrrat e shqiptarëve.

“Unë e di që t’u sigurosh një të ardhme më të mirë fëmijëve tanë, është një ëndërr që amerikanët dhe shqiptarët e ndajnë me njëri-tjetrin. Si ambasador jam i angazhuar të mbështes përpjekjet e popullit shqiptar në ndërtimin e institucioneve demokratike. Ta bëjmë Shqipërinë një aleate më të fuqishme të NATO-s dhe të punojmë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. SHBA dhe Shqipëria kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe gjithashtu kemi shumë gjëra për të bërë së bashku. Pres më kënaqësi që t’u takoj në Shqipëri dhe të dëgjoj mendimet tuaja për ato që mund të arrijmë bashkë”, deklaronte ai.

Premtimin e bërë për angazhim në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare nuk e la në letër. Mazhoranca që gjeti kishte identifikuar sistemin e drejtësisë si më problematikun dhe në zgjedhjet e 2013, Partia Socialiste e kishte ndërmarrjen e kësaj reforme një prej premtimeve të saj kryesore.

Donald Lu mbërriti në fillim të 2015, kur mazhoranca dhe opozita “grindeshin” jo vetëm për përmbajtjen e ligjit që do të shkundte sistemin e drejtësisë, por edhe për përmbajtjen dhe formatin e komisioneve që do të ngriheshin për këtë qëllim.

Iu deshën disa muaj bisedime së bashku me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë që mes partive politike të vendosej bindja për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, komision që u votua me 93 vota pro në korrik të 2015.

Ky ishte ngërçi i parë që e tejkaloi me sukses, por nuk ishte as i fundit dhe as më i vështiri. Paralelisht me komisionin e posaçëm kishte nisur nga puna edhe një komision me ekspertë të pavarur për hartimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve organike që kërkonte kjo reformë.

Pikërisht komisioni i ekspertëve, mes të cilëve edhe përfaqësues të OPDAT dhe Euralius dhe të shoqërisë civile do të shndërrohej në mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës. Partia Demokratike kundërshtonte disa propozime të ekspertëve, që sipas saj, synonin kapjen e drejtësisë nga Qeveria.

Edhe me ndërhyrjen e Donald Lu dhe të Romana Vlahutin, palët nuk e gjetën dot gjuhën e përbashkët dhe drafti i hartuar i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore përfundoi në Komisionin e Venecias.

Dosja voluminoze kërkonte kohë e durim që të kalontë në sitën e Venecias. E pikërisht durimi duket se po i soste Donald Lu-së dhe në Konferencën Gjyqësore të 14 dhjetorit 2015 lëshoi një deklaratë të drejtpërdrejtë që shënjestroi të korruptuarit në sistem. E ndau deklaratën në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Mesazhin kryesor e përcolli shqip.

“Nëse ulni kokën dhe shihni në kyçin tuaj të dorës që mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, ka të ngjarë të jeni një gjyqtar i korruptuar”, tha ai.

Në anglisht u përmendi burgun të korruptuarve dhe kërkoi besim nga të ndershmit.

“Në këte rast, unë ju jap kurajo që ta lini këtë profesion menjëherë. Mund edhe të futeni në burg së shpejti. E di që është e vështirë të jesh një gjytar i ndershëm në Shqipëri, nuk punon për shumë para dhe ka mundësi për të marrë nën trysni vendime të rëndësishme për të gjitha arsyet e gabuara. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe përvojës, dhe ju duhet të bëheni simboli i sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri”, vijoi më tej.

Donald Lu gjatë Konferencës Gjyqësore Kombëtare

Sinjali që u dha ishte i qartë: Donald Lu nuk kishte ndërmend që të tërhiqej nga misioni që i kishte vënë vetes. Thuajse 4 muaj më vonë, Komisioni i Venecias sjell opinionin përfundimtar. Nën vijat e vendosura nga ky opinion, politika bie dakort dhe në mesnatën mes 21 dhe 22 korrikut 2016, Parlamenti voton me 140 vota reformën në drejtësi. Votim nuk do të kishte ndodhur ende nëse nuk do të kishin ndërhyrë të huajt. Rama e dinte këtë.

“Falenderoj të gjithë partnerët e huaj ndërkombëtarë, SHBA-BE, sepse këtij populli iu mohua drejtësia në 25 vjet. Pa miqtë tanë ndërkombëtarë, nuk do të dilte “Tym i Bardhë”, deklaronte Kryeministri në atë kohë.

Por, pikërisht kjo ndërhyrje e vendosi Donald Lu deri diku përballë politikanëve shqiptarë. Ilir Meta, në atë kohë kryetar i Kuvendit, deklaronte se “po kërcënoheshin deputetët me mesazhe dhe një nga një për të votuar reformën në drejtësi”. I pyetur për këtë, Donald Lu tha se diskutimet me deputetët i ka bërë përballë dhe sy më sy.

“Z. Meta është kryetar i Parlamentit Shqiptar. Ai është gjithashtu prej një kohe të gjatë edhe partner i Shteteve të Bashkuara. A bie unë dakord me z. Meta për çdo gjë? Pa dyshim që jo. Por ne kemi marrëdhënie të mira dhe do të vijojmë të kemi një partneritet të fortë. Z. Meta gjithashtu viziton shpesh Shtetet e Bashkuara. Ai ka marrëdhënie të ngushta me disa nga anëtarët e Kongresit, dhe Ambasada Amerikane, ashtu si për të gjithë zyrtarët e lartë, ka ndihmuar në organizimin e takimeve të tyre në Uashington. Ne kemi punuar ngushtë me zyrën e zotit Meta për të gjitha vizitat e tij në Uashington”, komentonte ai raportet me Ilir Metën.

Ish-Kryeministri Sali Berisha fliste më një gjuhë më pak diplomatike se Ilir Meta. Ai hodhi dyshime se axhenda e Donald Lu në Tiranë nuk ishte axhenda zyrtare e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe se ambasadori amerikan dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin ishin bërë palë me Kryeministrin Edi Rama.

Ambasadori reagoi duke deklaruar se ai përfaqëson vetëm Shtetet e Bashkuara në Shqipëri dhe asgjë tjetër. Reagim pati edhe nga DASH, ku shprehej mbështetja për Donald Lu.

Përplasja me Adriatik Llallën

Kur Donald Lu erdhi në Tiranë, Adriatik Llallës i kishin mbetur edhe dy vite në detyrën si kryeprokuror i vendit. Koha ishte e pakët, por e mjaftueshme që mes ambasadorit amerikan dhe ish-kryeprokurorit të shfaqeshin edhe publikisht përplasjet e mëdha.

Ambasadori amerikan e akuzoi Adriatik Llallën si të korruptuar, ndërsa ky i fundit iu kundërpërgjigj duke e akuzuar se i kishte kërkuar mbylljen e një hetimi të nisur ndaj Bankers Petroleum për shpërthimet që ndodhën në zonën e Zharrzës.

Akuzat e kundërakuzat kulmuan në 15 shkurt të këtij viti. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftonte shpalljen “non grata të Adriatik Llallës dhe familjes së tij”. Vendimi thekson se vetë, në atë kohë Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste korrupsioni madhor.

Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në afera madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt u ndalohet hyrja në SHBA.

Kjo është hera e parë që ky ligj vihet në zbatim nga DASH dhe këtë e konfirmoi edhe Donald Lu në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion”.

“Sekretari i Shtetit vendosi që Z. Llalla do të ishte i pari person në botë. që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër. Ne, qeveria e SHBA, dhe në këtë rast Sekretari i Shtetit, i cili nën autoritetin e Presidentit për këtë çështje, ishte i bindur se kishte prova të mjaftueshme për të besuar se Z. Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm. Këtu ngrihet edhe një pyetje tjetër, nëse ai ka shkelur ligjet e vendit tuaj. Nuk mund ta vendosim ne këtë për Shqipërinë, ne nuk jemi zbatuesit shqiptarë të ligjit. Prandaj po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë”, deklaronte ambasadori.

Dekriminalizimi dhe “peshqit e mëdhenj”

Paralelisht me reformën në drejtësi, politika kishte nisur e diskutimet edhe të ligjit për pastërtinë e figurës së të zgjedhurve publikë, i njohur si dekriminalizimi. Ishte një betejë e Partisë Demokratike, që u miratua në dhjetor të 2015. Efektet e ligjit ishin të menjëhershme dhe u reflektuan në Kuvend me largimin dhe vetëlargimin e disa deputetëve nga mazhoranca, por edhe të të zgjedhurit socialist në Kavajë, Elvis Rroshit.

Ambasadori amerikan flet në konferencën e planit "Forca e Ligjit", ku përmend për herë të parë "peshqit e mëdhenj"

Edhe këto zhvillime nuk mbetën jashtë komentit të Donald Lu, madje ambasadori amerikan foli me emra konkretë në nëntor të vitit të kaluar kur në konferencën e organizuar për të njoftuar planin e Ministrisë së Brendshme “Forca e Ligjit”, përmendi “peshqit e mëdhenj” të krimit dhe vendosi edhe afate.

"Presim që ky plan agresiv i qeverisë shqiptare të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqëve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëmAjo që dimë gjithashtu është se Shqipëria ka një problem në lidhjen e grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë ju lutem të shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frokut, Gentian Muhamedit dhe Elvis Rroshit. Ky nuk është problem i vetëm një partie por është një një problem që ka pllakosur. Në gjuhën shqipe ju thoni peshku e madh e ha të voglin. Për një herë të vetme në Shqipëri do të hamë peshkun e madh”, deklaronte ai.

Janari i 2018 iku, po ashtu edhe shkurti, marsi e prilli, po mbyllet maji dhe Donald Lu mësoi se do të largohet pa e parë ende një peshk të madh në rrjetën e drejtësisë. Do të largohet nga Shqipëria si ambasadori që foli shqip, por akoma më tepër si ambasadori që e zhveshi veten nga gjuha diplomatike dhe foli troç, jo për politikanët, por për shqiptarët.

Megjithëse Donald Lu e vuri tiganin në zjarrine  drejtësisë,  peshku i madh është ende në det. Kushedi çfarë do të gatuaj ambasadori tjetër që vjen pas tij?



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë