Ambasadori palestinez në Serbi, Mohammed Nabhan ka thënë se qëndrimi i Palestinës për Kosovën nuk po ndryshon dhe se fakti që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla u takua së fundmi me ministrin e Jashtëm palestinez, Riyad Malki, nuk ka të bëjë me ndonjë ndryshim qëndrimi rreth çështjes së Kosovës.
“Fakti që ministri u takua në një qytet turk nuk do të thotë asgjë për ne dhe nuk do të thotë ndryshim qëndrimi”, tha Nabhan.
Ai shtoi se Palestina, kur bëhet fjalë për Kosovën, udhëhiqet nga dy parime, që janë respektimi i Rezolutës 1244 të OKB-së dhe avokimi për negociata mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Kjo zonjë nuk e di mirë se çfarë do të thotë Jerusalemi për Palestinën dhe arabët. Duhet të dijë pozicionin e Palestinës, myslimanëve dhe të krishterëve palestinezë dhe vetëm atëherë të thotë diçka për këtë”, u shpreh Nabhani, duke përsëritur se çështja e Jerusalemit për Palestinën është një vijë e kuqe që askush nuk mund ta kalojë.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla gjatë qëndrimit në Forumin Diplomatik të Antalyas takoi homologun e saj nga Palestina, Riyad al-Maliki, megjithatë për një takim të tillë ajo nuk tregoi.
Ndërkohë në mediat turke, një takim i tillë bëri bujë meqë Al-Maliki kishte deklaruar se Palestina mund të konsiderojë vendosjen e raporteve me Kosovën vetëm në rast se Kosova e largon ambasadën e saj në Izrael nga Jerusalemi.
Gjatë takimit me Al-Malikin, Gërvalla kishte shprehur dëshirën e Kosovës për thellimin e raporteve me Palestinën.
“Prezenca e Ambasadës në Jerusalem është kundër ligjit ndërkombëtar, Rezolutës së Këshillit të Sigurimit dhe qëndrimit të Bashkimit Europian. Kjo shkelje nuk do t’i sjell dobi progresit të Kosovës drejt njohjes ndërkombëtare dhe anëtarësimit në bashkësinë ndërkombëtare”, citohej të ketë thënë Al-Maliki.
Palestina është kundërshtare e fortë e pavarësisë së Kosovës. Qëndrimin kundër zakonisht e shpreh Ambasadori i tyre në Beograd Muhammad Nabhan i cili nuk heziton të thekosjë se “Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




