Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, ka reaguar pas spekulimeve të shumta në media nëse kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në SHBA ishte në Shtëpinë e Bardhë apo jo.
Hovenieri ka thënë se takimi i Kurtit me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, ishte mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.
Ai ka sqaruar përmes një shkrimi në Twitter se vendi ku është mbajtur takimi mes Kurtit dhe Sullivanit është pjesë e Shtëpisë së Bardhë.
“U befasova kur pashë disa histori të pasakta dhe mashtruese në shtypin lokal në lidhje me vendndodhjen e kryeministrit Albin Kurti për takimin në nivel kabineti me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Biden, Jake Sullivan”.
Ndërtesa e Zyrës Ekzekutive Eisenhower është pjesë e Shtëpisë së Bardhë. Takimet komplekse dhe të nivelit të lartë, duke përfshirë presidentin, zëvendëspresidentin dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare mbahen rregullisht atje”, shkroi Hovenieri.
Ai ka përmendur edhe një takim që ishte mbajtur atje me ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe Joe Bidenin, i cili në atëkohë ishte zëvendëspresident i SHBA-së, në vitin 2010.
“Si një shembull: në vitin 2010, unë isha i pranishëm në një takim mes zëvendëspresidentit të atëhershëm Biden dhe kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive të Eisenhower”, ka shkruar ai, duke i dhënë fund debatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




