Nga Gazeta ‘Si’- Një foto e ambasadorit të Serbisë në SHBA, Marko Gjuriç taksa darkonte me ish- nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë dhe në një pjesë të opinionit serb.
Radoiçiç është në kërkim nga Interpoli dhe është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi cilësohet si autor i sulmit në Banjskë.
Gjuriç u shpreh se nuk kishte ndërmend t’i kërkonte falje kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe deklaroi se me Radoiçiç është takuar në kuadër të punës.
“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Edhe nëse është goxha e varfër. Nuk kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit dhe njerëzve të tjerë keqdashës për asgjë”, shkruan Gjuriç i cili pohoi se nuk ndihet i turpëruar që ka takuar terroristin Radoiçiç.
“Nuk i kam fshehur dhe as nuk kam turp asnjëherë nga kontaktet publike që kam në punën që bëj. Përveç përfaqësuesve të ndryshëm serbë me të cilët kam kontakte të rregullta dhe me të cilët dëshiroj të takohem edhe sot, jam takuar shumë herë, gjithashtu në kuadër të punës sime, me udhëheqës të shumtë shqiptarë”, -vijon ai.
Por ambasadori i SHBA në Kosovë Jeffrey Hovenier reagoi me tone të ashpra dhe kërkoi që Radoiçiç të mbajë përgjegjësi për sulmin e Banjskës.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoiçiç është i njohur. Z. Radoiçiç është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional.Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjska përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”, shtoi më tej.
Ndërkohë, pas tij ka reaguar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç i cili tha se nuk e ka pyetur Gjuriçin se kur është bërë fotografia, as ku dhe pse.
“Nuk e pyeta kur, ku dhe pse. Nuk e pyeta asgjë nëse është ngritur nga tavolina për të parë Milan Radoiçiçin, për t’u ulur një ose dy minuta apo ka ardhur me të. Tani po sulmojnë Marko Gjuriçin, po i shikoj të gjithë denoncuesit dhe hajdutët e tjerë se si do t’i raportojnë dikujt diku. Dhe lavdëroni ata që shkojnë te varri i Adem Jasharit, i cili vrau ushtarë dhe policë serbë. Dhe pastaj shkruani se si BIA paralizoi një kriminel (Nikola Sanduloviç). Gjithçka është kthyer përmbys në këtë vend”, u shpreh Vuçiç.
Ai muajin e kaluar paralajmëroi se Gjuriç do të kthehet në Serbi dhe se do të ketë “një nga postet më të rëndësishme në vend”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




