Kosova

Ambasadori Hovenier: Anulimi i ‘Defender 2023’, pasoja e parë për Kosovën

Gazeta Si – Jeffrey Hovenier, ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, u shpreh sot se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet ‘Defender Europe 2023’ është pasoja e parë për të. Ai evidentoi faktin se qeveria e Kosovës ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit për të shtensionuar situatën në veri.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar pak ditë më parë se veprimet e qeverisë së Kosovës në komunat veriore do të kishin pasoja në raportet dypalëshe.

“Treguesi i parë i kësaj situate ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Europën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në ‘Defender Europe 2023, – tha ambasadori Hovenier. – Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”.

SHBA-të e kanë kritikuar Kosovën, duke thënë se më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore ‘hynë me forcë’ në ndërtesat komunale. Hovenier u shpreh se SHBA-të po mendojnë për vendime të tjera në këtë drejtim.

“Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të çtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave, prandaj po shqyrtojmë se çfarë veprimesh të tjera do të bëjmë”, – shtoi ambasadori Hovenier.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë