Interviste

Ambasadori Gendler: Izraeli në Shqipëri, investime madhore në sipërmarrje të përbashkëta

Noah Gal Gendler, Ambasador i Izraelit në Shqipëri thotë një intervistë për Gazetasi.al se 30 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes të dy vendeve do të njohë një tjetër bashkëpunim. “Ne nuk kemi projekte të mëdha në Shqipëri, por ideja është të sjellim investitorë nga Izraeli që të investojnë dhe të ndërtojnë sipërmarrje të përbashkëta ketu”, thotë Gendler, i cili premton se nëse kjo nuk ndodh në këto dy muaj të mbetur të këtij viti, do të finalizohet gjatë 2022-it. Po ashtu ai flet për pandeminë, si ia doli vendi i tij me vaksinimin, si edhe raportet me Kosovën pas hapjes së ambasadës së saj në Jeruzalem.

-Lidhjet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë të hershme, ndërkohë që marrëdhëniet diplomatike këtë vit shënuan 30 vjetorin e tyre. Jo shumë kohë më parë, në Vlorë është hapur edhe muzeu hebraik, simbol i bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve. Cili është kontributi i nismave të tilla, si ky muze? Cilat janë raportet mes dy vendeve tona dhe planet afatgjata për nisma të përbashkëta dhe bashkëpunime?

Së pari ka nevojë të flitet për historinë. Për ne, në Izrael, disa vjet më parë, për brezin tim ishte thuajse e pamundur të mendoje për marrëdhënie me Shqipërinë, sepse Shqipëria ishte shumë e izoluar. Ne e konsideronim pjesë të Bllokut Sovjetik.

Fakti që kemi marrëdhënie diplomatike për disa vite së fundi është arritje në vetvete.

Për të folur për përmbajtjen e këtyre marrëdhënieve mund të them bazuar në përvojën time si diplomat se mund të ndiej se këto marrëdhënie janë relativisht të reja, sepse kanë shumë ndryshim nga marrëdhëniet me vende me të cilat keni marrëdhënie diplomatike për 70 apo 50 vjet. Ne jemi në fillim të bashkëpunimit tonë. Jemi të kënaqur, por mund të bëjmë më tepër. Ne kemi ambasadë këtu, ju keni ambasadën tuaj në Izrael, tani është çështje planifikimi dhe zbatimi programi.

Ne i njohim prioritetet tona, i njohim dhe prioritetet tuaja dhe ideja është t’i kombinojmë sëbashku.

-Mund të thoni diçka më specifike për projekte konkrete?

Ne nuk kemi projekte të mëdha në Shqipëri, por ideja është të sjellim investitorë nga Izraeli që të investojnë në Shqipëri, të ndërtojnë sipërmarrje të përbashkëta në Shqipëri. Besoj se diçka e tillë mund të ndodhë brenda këtij viti, apo edhe nëse jo këtë vit, sigurisht në fillim të vitit 2022 dhe po flasim për investim të shkallës së lartë, jo për shuma të vogla parash.

Izraeli është një ndër vendet që është përmendur së shumti për luftën ndaj pandemisë dhe procesin e vaksinimit. Çfarë vaksinash po përdorin tani në Izrael dhe cili është kontributi i Izraelit në luftën botërore ndaj pandemisë?

Mendoj se kemi disa arritje shumë të mira në luftën kundër koronës dhe mbi të gjitha është vaksina me tre doza dhe tashmë po flasim edhe për dozën e katërt, duke marrë në konsideratë që mund të jetë një sëmundje kronike dhe duhet të gjejmë zgjidhje dhe jo të izolohemi, të ndahemi apo masa të tjera të kësaj natyre, sepse njerëzit kanë nevojë të jetojnë, ekonomia duhet të rritet etj. Me pak fjalë, mendoj se kemi bërë punë shumë të mirë: filloi me udhëheqësit tanë, vazhdoi me sistemin shëndetësor, i cili është mjaft i sofistikuar dhe shumë i mirë dhe sigurisht pikëpamja shkencore është shumë e fortë në këtë shërbime dhe në lidhje me kërkimet akademike. Shumë kompani në Izrael punojnë për të gjetur zgjidhje në lidhje me COVID, jo vetëm përsa i përket vaksinimit, por edhe trajtimit, sepse siç e dini, sot nuk ka trajtim kundër COVID. Kështu që, ne jemi me fat të bëjmë gjënë e duhur në kohën e duhur në shumicën e rasteve.

-A ka diçka që Shqipëria mund të mësojë?

Nuk është çështja të mësojë ose jo, sepse kur ne filluam proesin e vaksinimit me Pfizer, ideja ishte që meqënëse jemi vend i vogël do të ishte një lloj laboratori për të gjithë që të mësojnë. Kjo është ideja: të na shohin ne ose vende të tjera, pasi kam lexuar përshembull që në Portugali janë vaksinuar 100 përqind e popullatës etj. Pra, duhet të shikoni vende të ndryshme dhe të merrni mësimet tuaja. Është e lehtë të shohësh vendet e vogla si Izraeli apo Portugalia. Vendet e mëdha janë shumë ndryshe në këtë drejtim. Kjo është ideja: të studioni dhe të merrni më të mirën nga çdo vend.

A mund të themi se Izraeli është vendi më evropian në Lindjen e Mesme. Ç’mund të thoni për Izraelin si kryqëzim i civilizimeve?

Për mendimin tim fakti se Izraeli është kryqëzim mes civilizimeve është më e rëndësishme se sa të qenit europian në Lindjen e Mesme apo nuk di, rus në Mongoli. Të qenit kryqëzim mes vendesh dhe kulturash është çelësi sepse nëse njeh kultura të ndryshme mund të shërbesh si urë civilizimesh dhe urat janë shumë të rëndësishme. Kështu, veçanërisht pas këtij viti ku celebruam Marrëveshjen Ndërshtetërore të Abrahamit me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrain, Sudanin dhe Marokun, ne e shohim veten si urë ndërmjet Azisë dhe Europës, midis arabëve dhe hebrenjve, të krishterëve, myslimanëve dhe hebrenjve e kështu me rradhë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne si popull biblik në të shkuarën dhe të qenit e asaj çfarë jemi sot: vendi më i suksesshëm përsa i përket ekonomisë së startup-eve.

Kosova ka pranuar hapjen e ambasadës së saj në Jeruzalem, pas marrëveshjes së vitit të shkuar në Shtëpinë e Bardhë.  A është i gatshëm Izraeli të lobojë për njohje të reja të Kosovës?

Kosova natyrisht sot është shumë popullore në Izrael, sepse është një nga vendet që hapi ambasadën në Jeruzalem, pa përmendur që është pjesë e popullit shqiptar, që është gjithsesi i popullarizuar. Mendoj se gjatë muajve dhe viteve të ardhshëm marrëdhënia midis Izraelit dhe Kosovës do të forcohet dhe në fund të procesit ndoshta do të ketë gjithashtu një ambasadë edhe në Kosovë. Por për momentin po punojmë për ambasadorin që duhet të emërojmë për të banuar në Jeruzalem dhe për të mbuluar Kosovën. Bashkëpunimi tashmë ka filluar dhe dua të them se në disa raste kemi pasur bashkëpunim humanitar edhe para njohjes së Izraelit në Kosovë.

-Në Shqipëri strehohen 3000 muxhahidinë iranianë. Mendoni se diçka e tillë përbën kërcënim për sigurinë?

Unë nuk mendoj kështu sepse siç e kuptoj, iranianët që banojnë këtu janë njerëz të mirë dhe nuk mbështeten nga regjimi brutal aktual në Iran, kështu që ata mund të jenë një lloj partnerësh për ne: për Izraelin, për Shqipërinë, për vendet perëndimore, kështu që ne i shohim ata si qytetarë të Shqipërisë, të paktën si qytetarë të përkohshëm.

-Si e shihni Shqipërinë dhe si e komentoni gjendjen ku ndodhet vendi ynë aktualisht?

Ju keni një qeveri të re, keni pasur zgjedhje të përgjithshme. ju keni një qeveri të re që duhet të jetë një qeveri shumë e qëndrueshme. Rruga është e hapur. Në momentin kur pandemia do të ketë marrë fund në të gjithë globin, ne duhet të kthehemi në normalitet dhe e ardhmja është e ndritshme. Ajo duhet të jetë e ndritshme, sepse ndryshe nga ne, ju nuk keni armiq, nuk keni mure. Ju nuk vuani nga terrorizmi, kështu që mund të investoni kohën tuaj në brezin e ri.

-Si e shihni rininë në Shqipëri?

Veçanërisht të rinjtë në vendin tuaj janë njerëz të talentuar, të arsimuar, me sjellje të mirë dhe gjithçka është e mundur të bëhet. Është vetëm çështje planifikimi dhe zbatimi. Nuk shoh ndonjë kufizim në këtë drejtim. Natyrisht ka gjëra që duhet të mësoni dhe të studioni, por për të rinjtë, veçanërisht në botën tonë aktuale është e lehtë të bëhet. Gjithmonë them se teknologjia që shohim përreth nesh shkurton hapësirën kohore për t’i bërë gjërat. Nëse në të kaluarën, për të zbatuar diçka, duheshin zakonisht tre vjet kohë e tre milion dollarë, tani duhen tre muaj dhe treqind mijë dollar, pra gjërat bëhen shumë më shpejt, shumë më lehtë dhe nganjëherë edhe më lirë.

-A mund të flasim për mundësi konkrete bashkëpunimi për të rinjtë në Shqipëri, përshembull, që brezi i ri në Shqipëri të shkojë të studiojë në Izrael?

Në shumicën e rasteve ne në Izrael mësojmë në hebraisht, kështu që është një gjuhë që duhet ta studioni dhe që kërkon shumë kohë, pra është problematike në këtë drejtim. Por mendoj se është e mundur të trajnosh të rinj. Njerëzit që punojnë në kompjuter si programues përshembull nuk kanë nevojë të flasin hebraisht. Diçka e tillë mund të bëhet në të gjithë botën sepse Izraeli është një një vend shumë i zhvilluar përsa i përket startupe-ve, shumë i përfshirë në teknologji dhe ne nuk kemi staf të mjaftueshëm për të bërë punën, kështu që punojmë me vende të tjera. Në këtë rajon ne punojmë shumë me Ukrainën, me Republikën Çeke, me Hungarinë, me Poloninë dhe madje edhe me Maqedoninë. E njëjta gjë duhet bërë edhe në Shqipëri dhe këta njerëz mund të jenë ulur në kompjuter, në shtëpitë e tyre ose në zyrat e tyre, brenda një trekëndëshi që përfshin, le të themi Izraelin, Amerikën dhe Shqipërinë dhe të përgatitin të ardhmen në sektorin e teknologjisë (IT).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë