Ambasada amerikane në Tiranë ka mbajtur një qëndrim të fortë pas vendimit të deputetëve të opozitës për djegien e mandateve parlamentare.
Në një reagim në “Facebook”, selia diplomatike në rrugën e “Elbasanit”, ka fshikulluar Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim pas këtij hapi ekstrem. Sipas saj, kërcënimet e dy partive të opozitës, minojnë parimet e demokracisë.
“Një demokraci e shëndetshme, kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme, – thuhet në deklaratë. – Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




