Mjedis

Amazona, viktimë e “dorës së njeriut”

Ndërkohë që bota shikon e tmerruar Amazonën që shkrumbohet nga flakët, shkencëtarët kanë sqaruar se shkaku i kësaj fatkeqësie është veprimtaria njerëzore.

Në Brazil, ajo veprimtari njerëzore ka emra dhe fytyra: ato të Jair Bolsonaro, presidentit brazilian, dhe ministrit të tij ekstremist të mjedisit, Ricardo Salles. Ata jo vetëm që kanë lejuar ndezjen e zjarre shkatërruese, por kanë inkurajuar përhapjen e tyre më qëllim shfrytëzimin e “mushkërisë së Tokës” për bujqësi.

Madhësia e këtyre zjarreve dhe ashpërsia e rreziqeve që ata paraqesin për botën, janë demonstruar gjerësisht gjatë javës së fundit. Siç raportoi “New York Times” të mërkurën, Instituti Brazilian i Kërkimit Hapësinor dokumentoi se "kishte zbuluar 39.119 zjarre këtë vit në pyllin më të madh në botë.

Zjarret janë bërë kaq të fuqishme sa tymi e zhyti qytetin më të madh të hemisferës perëndimore, São Paulon, në errësirë totale në mes të ditës. Ajo që ishte veçanërisht tronditëse për këtë ngjarje të papritur ishte se zjarret Amazona janë qindra milje larg nga ai qytet, por janë bërë aq të dendura dhe dërrmuese saqë errësuan dritën këtë metropol të të largët.

Zjarret në Amazona, Gazeta Si, 27 gusht 2019

Zgjedhja e një politikani të papërgjegjshëm si Bolsonaro nëntorin e kaluar ishte një shok për sistemin politik brazilian sepse pikëpamjet e tij ekstremiste dhe prania e tij në kongres ishin cilësuar nga shumica e politikanëve si një siklet kombëtar. Askush nuk e kishte menduar se një ditë ai do të pushtonte pallatin presidencial.

Presidenti është zotuar të zhvillojë rajonin e Amazonës për bujqësi dhe miniera, duke injoruar shqetësimin ndërkombëtar për rritjen e shpyllëzimit. Në mesin e shumë pikëpamjeve ekstremiste të Bolsonaro është mohimi i ndryshimeve klimaterike. Ai bëri fushatë në një premtim të qartë për të shfrytëzuar dhe shkatërruar Amazonën, i cila aktualisht siguron 20% të oksigjenit në botë dhe që shkencëtarët e konsiderojnë gjerësisht si pasurinë më të vlefshme që posedon njerëzimi në betejën tonë gjithnjë e më të vështirë për të shmangur katastrofat natyrore.

Vetëm pas tetë muajsh në detyrë, Bolsonaro nisni shpyllëzimin masiv, i cili mund të arrihet duke prerë pemë ose, në mënyrë më efikase, duke djegur zonat e mëdha pyjore që industria bujqësore e Brazilit dëshiron t’i shfrytëzojë.

Zjarret në Amazona, Gazeta Si, 27 gusht 2019

Kush i nisi zjarret?

Shkencëtarët që po studiojnë të dhënat e imazheve satelitor nga zjarret në Amazona thanë që shumica e zjarreve kanë nisur nga tokat bujqësore, ku pylli ishte pastruar tashmë.

Shumica e zjarreve u ndezën nga fermerët që përgatitnin tokën për mbjelljen e vitit të ardhshëm, një praktikë e zakonshme bujqësore, thanë shkencëtarët nga Universiteti i Marylandit. Imazhet satelitore tregojnë shtëllunga të mëdha tymi nga zjarret që burojnë nga zonat bujqësore. Shumica e tokës bujqësore që përdoret aktualisht në rajonin Amazonës u krijua falë shpyllëzimit.

Amazona ka parë një numër rekord zjarresh këtë vit, madje agjencinë hapësinore e Brazilit raporton një rritje prej 83 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Institutit Brazilain për Kërkime në Hapësirë (INPE), numri i madh i zjarreve nuk ka ardhur për shkak të sezonit të thatë ose fenomeneve natyrore, pasi klima në Amazona këtë vit ka qenë mesë normale.

Në Amazona, disa fermerë u vënë zjarrin pyjeve , me qëllim që të pastrojnë tokën për bagëti, një praktikë e cila është e paligjshme, duke u bërë kështu shkak për përhapjen e flakëve.

Brazili kundër botës

Brazili ka refuzuar ndihmën prej 20 milionë dollarësh për shuarjen e zjarreve në Amazonë të ofruara në samitin G7-ës në Francë. Shefi i shtabit të presidentit brazilian Jair Bolsonaro tha se Brazili nuk do të pranojë paratë, duke sugjeruar që ato të përdoren diku tjetër në Europë.

"Ne jemi mirënjohës, por mbase ato burime do të ishin më të rëndësishme për Evropën pyjore," deklaroi zyra e presidentit.

Zjarret në Amazonë kanë shkaktuar një përplasje midis Bolsonaro dhe Presidentit Francez Emmanuel Macron, i cili ka qenë më i zëshëm për nevojën për një reagim ndërkombëtar ndaj zjarreve që po shkrumbojë tanimë prej një jave “mushkërinë e Tokës”.

Jair Bolsonaro, Gazeta Si, 27 gusht 2019

Në samitin e shtatë ekonomive Macron ofroi 20 milionë dollarë ndihma në dispozicion për të ndihmuar Brazilin në luftimin e zjarreve. Por Bolsonaro tha që ideja e krijimit të një aleance ndërkombëtare për të shpëtuar Amazonën do ta trajtonte Brazilin si "një koloni ose tokën e askujt", duke e quajtur atë një sulm ndaj sovranitetit të vendit.

"Macron nuk është në gjendje të shmangë një zjarr të parandalueshëm në një kishë që konsiderohet pjesë e trashëgimisë botërore por dëshiron të na tregojë se çfarë duhet të bëjmë me vendin tonë?, tha presidenti brazilian duke iu referuar zjarrit të Katedrales së Notre Dame në Prill.

Konflikti midis Macron dhe Bolsonaro u bë personal kur presidenti brazilian shpërndau një postim që krahasonte pamjet e gruas së tij me atë të zonjës së parë franceze, duke shkruar se Macron ishte “xheloz”.

Sikur të mos mjaftonte kjo, presidenti brazilian Jair Bolsonaro ka sugjeruar që organizatat joqeveritare (OJQ) janë fajtore për zjarret masive më Amazonës.

Bolsonaro tha se gjithçka tregon" që OJQ-të po i vënë zjarr pyllit për të diskredituar qeverinë e tij, për shkaka se presidenti ka shkurtua fondet e tyre.

Kur u pyetën nëse kishte prova për të mbështetur pretendimet e tij, ai tha se ai do t’i siguronte sa më shpejt të ishte e mundur.

Çdo të thotë djegia e Amazonës për Tokën?

Pylli tropikal i Amazonës është një mrekulli ekologjike. Është zona më e madhe pyjore që i ka mbetur botës dhe është sa dy herë sipërfaqja e Indisë. Është shtëpia e të paktën 10% e biodiversitetit tonë, prodhon 20% të oksigjenit në botë dhe ndihmon për të rregulluar temperaturat e të gjithë planetit.
Pa të ndryshimet klimatike mund të bëhen të pakthyeshme. Të dhënat satelitore, të publikuara nga Instituti Kombëtar për kërkime Hapësinore, kanë treguar rritje të shifrave të zjarrit për 84 për qind këtë vit, krahasuar me një vit më parë.

Amazona është një gropë e madhe me karbon, nëse digjet i gjithë karboni do të shkojë në atmosferë. Amazona përmban 90 deri në 140 miliardë tonë metrikë karbon . Karboni i tepërt në atmosferë është një nga arsyet kryesore të ndryshimit të klimës.

Zjarret në Amazona, Gazeta Si, 27 gusht 2019

Imagjinoni sikur i gjithë ky karbon të çlirohet në atmosferë. Do të ishte shkatërruese.
Amazona është e rëndësishme sepse prodhon kaq shumë oksigjen - por nëse këto pemë dhe bimësia shkatërrohet nuk do të ketë më mundësi të thithë më kaq shumë karbon dhe të prodhojë po kaq shumë oksigjen.

Përpara se të binin zjarret, shpyllëzimi dhe shndërrimi i tokës bëri që Amazon të lëshonte deri në 0.5 miliardë tonë metrikë karboni në vit. Në varësi të dëmeve që janë shkaktuar nga zjarret kjo mund të rritet duke përshpejtuar edhe ndryshimin e klimës edhe më tej.

Në thelb Amazona është një motor i madh hidrologjik. Uji çlirohet nga pemët në atmosferë dhe në oqean përmes lumejve të Amazonës. Rrymat e oqeanit ndihmojnë në rregullimin e motit, transportimin e ujit të ngrohtë dhe reshjet nga ekuatori drejt poleve, dhe ujin e ftohtë nga polet në zonat e tropikut. Pa këto rryma, temperaturat rajonale do të ishin shumë më ekstreme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë