Shendet

Alzheimer në Shqipëri, të sëmurët vonojnë për t’u kuruar

Nga Gazeta Si – Alzheimer është një sëmundje që karakterizohet nga një rënie progresive e funksioneve të larta të trurit në një ose më shumë fusha siç janë: të mësuarit, kujtesa, gjuha, funksionet ekzekutive dhe vëmendja, duke ndikuar kështu në pavarësinë funksionale të individit.

Sëmundja e Alzheimerit është një nga burimet kryesore të vdekshmërisë në popullatën e moshuar. Ndërkohë që në botë numërohen 47 milionë njerëz të prekur nga Alzheimer, në Shqipëri nuk ka shifra të sakta të të sëmurëve me Alzheimer.

“Në Shqipëri nuk kemi shifra të sakta për numrin e pacientëve me sëmundjen e Alzheimerit, por rritja e jetëgjatësisë dhe plakja e popullatës e favorizon këtë sëmundje”, thotë për Gazetasi.al Entela Basha, neurologe.

Basha tregon se janë pikërisht rritja e jetëgjatësisë dhe plakja e popullatës që kanë bërë që në vendin tonë të ketë shtim për konsultë të pacientëve me çrregullime të kujtesës.

Basha ka folur për Gazetasi.al edhe për medikamentin e aprovuar vjet nga FDA për trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit.

Për sa i përket medikantit të aprovuar vjet nga FDA për trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit Aducanumab (Aduhelm), Basha thotë se duhet qartësuar që fillimi i trajtimit me këtë medikament bëhet vetëm në fazat fillestare ku evidentohen shenja e humbjes së kujtesës, diçka që është deri diku e pamundur në vendin tonë duke qenë se pacientët në Shqipëri rrallëherë paraqiten në fazat e hershme të sëmundjes.

“Njëkohësisht duhet patur parasysh që dhe ky medikament ka patur efekte anësore si mikrohemorragjitë cerebrale dhe ende sot në vendet më të zhvilluara ka përplasje mendimesh klinike përsa i përket benefiteve të medikamentit”, thotë Gasha çka nënkupton se çdo zbulim për Alzheimer është i rëndësishëm.

Pacientët me demencë kanë vështirësi në:

-Marrjen dhe përpunimin e informacioneve të reja  (vështirësi në kujtimin e ngjarjeve)

-Kryerjen e veprimeve të vështira  (balancimin e objekteve)

-Logjika (vështirësi socializimi me të panjohur)

-Çrregullime të orientimit (harrojnë vendndodhje dhe ambiente të njohura)

-Gjuha (vështirësi në gjetjen e fjalëve)

-Sjellja

Alzheimeri duhet dalluar nga simptomat e humbjes se kujtesës apo çregullime të sjelljes dhe të personalitetit, të cilat janë joprogresive ose të nxitura nga një sëmundje sistemike, medikamente, çregullime psikiatrike, apo patologji organike të trurit. Ç’rregullimet e funksioneve të larta të trurit karakterizohen nga çrregullime të kujtesës, por që nuk ndikojnë në funksionimin normal. Basha tregon se vlerësimi i pacientëve me çrregullime të kujtesës, që mund të jetë një shenjë paralajmëruese për shfaqjen e demencës, nuk mund të bëhet në një seancë vlerësuese të vetme.

Vlerësimi në vazhdimësi merr rëndësi shumë të madhe, ku krahasimi i testeve të vlerësimit të funksioneve të larta të trurit të çon drejt diagnozës. Basha thotë se mjaft e rëndësishme është marrja e historisë me kujdes, vlerësimi i medikamenteve të përdorura që ndërhyjnë në funksionet superiore, ekazaminimi objektiv dhe neurologjik, vlerësimet laboratorike dhe imazherike, janë kriteret që përjashtojnë shkaqet e mundshme të demencave ose konfirmojnë diagnozën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë