Nga Fatjon Rupi – Nesër Andorra, më 28 mars Anglia në “Air Albania Stadium” dhe më 31 mars San Marino. Janë tri ndeshjet e para kualifikuese të “Katar 2022” për Shqipërinë, që këtë herë vjen me një skuadër me më shumë kualitet, me lojtarët në formë të mirë dhe plot entuziazëm e ëndrra për në Botëror.
Altin Rraklli, ish-sulmuesi i shquar i Kombëtares, për Gazeta Si jep një opinion për këto ndeshje, ku thekson se e gjithë vëmendja duhet të fokusohet së pari tek Andorra: “Gjithmonë ndeshjet e para janë shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme, moralin, klimën, harmoninë dhe sidomos pikët dhe objektivin e skuadrës, – thotë Rraklli. – Prandaj, ndeshja me Andorrën duhet marrë shumë seriozisht dhe në asnjë mënyrë nuk duhet pasur mendja tek Anglia, sepse do të ishte një gabim fatal”.

Ish-futbollisti kavajas ka një këshillë për djemtë kuqezi: “Me Anglinë pastaj është ndeshje luksi dhe vetëm duhet shijuar nga djemtë, sepse kundër një skuadre të tillë nuk ke nevojë shumë për karikim, vetë emri i kësaj skuadre të motivon. Por, si fillim, siç e thashë, duhet fituar ndeshja e parë kundër Andorrës. Me siguri nuk do të jetë ndeshje aq e lehtë, pra duhet që lojtarët të jenë shumë të impenjuar gjithë ndeshjen, nëse duam ta fitojmë”.
Për Altin Rrakllin, fakti që shumica e futbollistëve të grumbulluar nga trajneri Reja vijnë me minuta në këmbë, do të ketë ndikim të madh pozitiv në skuadër. “Është shumë i rëndësishëm fakti që lojtarët e grumbulluar nga trajneri vijnë në një formë të mirë fizike, si rrjedhojë e aktivizimit të tyre në skuadrat ku bëjnë pjesë. Kjo është shumë e rëndësishme për skuadrën tonë”.
Duke u rikthyer tek Anglia, ish-sulmuesi, i vetmi që ka shënuar në portën e “Tre luanëve”, shprehet optimist për rezultat pozitiv, ndërkohë që ka edhe një batutë: “Patjetër që ndeshja me Anglinë do të jetë shumë e vështirë për të marrë qoftë edhe një pikë, por personalisht mendoj se pavarësisht kualiteteve të padiskutueshme që ka brenda saj, edhe ajo skuadër ka pika të dobëta, sidomos në aspektin difensiv.
E kemi parë në ndeshjen kundër Kosovës, apo edhe më herët, kur luaja edhe vetë, madje unë i shënova 2 gola brenda 5 minutave, në Tiranë, pavarësisht se njërin ma mohoi padrejtësisht arbitri anësor (qesh)”.
Pastaj, duke hyrë në llogaritë e një kualifikimi të mundshëm, Rraklli thekson se vendi i tretë në grup do të ishte një sukses i madh. “Mendoj se, nëse skuadra në këto eliminatore do të jetë në të gjitha ndeshjet e kompletuar, pra me pak dëmtime dhe në formë të mirë fizike, do të gabojë pak, sidomos në fazën mbrojtëse.

Duhet të fitojmë pa diskutim të katërta ndeshjet me Andorrën dhe San Marinon, duke grumbulluar 12 pikë. Po ashtu, patjetër në ndeshjet direkt me rivalët tanë, Poloninë dhe Hungarinë, minimumi duhen 8 pikë. Kështu do të kemi një shans real për kualifikim, ndryshe do të ishte tepër e vështirë. Personalisht, mendoj që vendi i tretë në këtë grup do të ishte një sukses shumë i madh”, – përfundon Rraklli për Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.