Drejtësia

Altin Dumani: Po tronditet pandëshkueshmëria në Shqipëri. VanHorn: SPAK të vijojë të hetojë korrupsionin në vend!

Nga Gazeta 'Si'- Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është shprehur se me Reformën në Drejtësi, pandëshkueshmëria po tronditet në Shqipëri.

Komentet Dumani i bëri në ceremoninë e përfundimit të vettingut të prokurorëve e gjykatësve, proces që nga 31 dhjetori do i kalojë në kompetencë kreut të SPAK.

Dumani tha gjithashtu se me Reformën në Drejtësi është rritur demokracia dhe është shtruar rruga për integrimin e vendit në BE. Kreu i SPAK tha gjithashtu se gjatë rrugëtimit të tij SPAK është përballur me shumë sfida, të cilat sipas tij, as nuk i kanë stepur e as nuk i kanë trembur prokurorët.

“Të nderuar ambasadorë, anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të nderuar komisionerë publik. Duhet të ndaj me ju disa reflektime të një procesi që i dha formë sistemit tonë të drejtësisë. Ishte përcaktues për të pasur një demokraci më të fortë dhe për të bërë më të sigurt rrugën drejt BE.

7 vite nuk janë pak, por Reforma në Drejtësi ishte transformuese për të përshkruar një prej proceseve më gjithëpërfshirës, për t’i sjellë qytetarëve shqiptarë një sistem drejtësie të drejtë e professional. KPK dhe KPA kanë vendosur me shembullin e tyre një gurëthemel mbi të cilat institucionet e drejtësisë do të ngriheshin. SPAK është një institucion i pavarur dhe të 20 prokurorët i janë nënshtruar procesit të vettingut.

Pandëshkueshmëria po tronditet sot. Rruga na përball çdo ditë me sfida të reja, që as nuk na kanë trembur, e as nuk na kanë stepur. Një nga përparësitë e SPAK nga 31 dhjetori është edhe administrimi i rolit të komisionerëve publikë. Të gjitha çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve, do i kalojnë drejtuesit të SPAK. Deri tani numërohen 40 ankimime. Parashikohet që drejtuesi i SPAK do të ketë një rol të madh të përfaqësimit të këtyre çështjeve përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, tha Dumani.

Edhe e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri dha mesazh të qartë për mbështetjen e reformës në drejtësi.  VanHorn i bëri thirrje SPAK që të vijojë të hetojë korrupsionin në vend.

“Shqiptarët duhet të jenë krenarë për arritjet. Duhet të jeni krenarë për sa ka përparuar drejtësia në Shqipëri. SPAK të vijojë të hetojë rastet më të ndjeshme të korrupsionit.

Ju keni vendosur një standard që mbahet si shembull jo vetëm në Europë por edhe në vende të tjera. Proces i vështirë, por premtues për një shoqëri më të drejtë për gjithë qytetarët. Ka pasur rezistencë ndaj reformës në drejtësi dhe kjo vazhdon edhe sot në disa vende.

Komisionerët kanë bërë sakrifica të mëdha si profesionale. Edhe vetjake, kanë marrë vendime jo popullore. Kanë treguar guxim të jashtëzakonshëm për t’u përballur me hakmarrjen për këto vendime shkarkimi. Shqiptarët duhet ta dinë se zyrtarët po japin llogari dhe do vazhdojë falë punës së mirë të shqiptarëve trima si ju”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë