Gazeta Si – Altin Dumani thotë se asnjë vend i rajonit nuk mund t’i bëjë ballë fenomeneve të krimit i vetëm.
Gjatë Forumit Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, ai theksoi se për t’i shpërbërë këto struktura duhet vepruar me vendosmëri.
“Asnjë vend i rajonit nuk mundet t’i bëjë ballë krimit të organizuar dhe korrupsionit i vetëm. Grupet apo organizatat kriminale janë të ndërlidhura, operacionet transaksionale dhe rrjetet e tyre janë të shtrirë kudo, – deklaroi kreu i SPAK. – Një hetim që nis në një vend, na çon drejt fakteve të dyshuarve, apo lëvizjes së parave në një vend tjetër. Për t’i shpërbërë këto struktura na duhet të veprojmë me vendosmëri jo vetëm brenda territoreve respektive, por edhe në mënyrë kolektive, si pjesë e rajonit”.,
Sipas tij, kjo do të thotë më shumë hetime të përbashkëta, ndarje më e shpejtë e informacionit, besim i ndërsjelltë mes prokurorëve dhe një vizion i qartë “që gjeografia nuk e pengon, por e ndihmon bashkëpunimin”.
Ai solli në vëmendje bashkëpunimin me Eurojust, si një element që ka bërë dallimin për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Eurojust është një nyje strategjike që na ka ndihmuar të kapërcejmë pengesat frenuese të bashkëpunimit ndërkombëtar. Për SPAK-un, bashkëpunimi ka dhënë rezultate të prekshme”, tha Dumani.
“Në raportin e Eurojust, SPAK është prokuroria me numrin më të lartë të çështjeve në Eurojust nga vendet jo anëtare të BE-së. Nga muaji janar-maj 2025, SPAK ka marrë pjesë në dhjetë nga mbledhjet e koordinuara të Eurojust. Aktualisht SPAK ka 23 skuadra të përbashkëta hetimore me vendet e BE-së, por edhe me vende të rajonit si dhe një skuadër me një vend të Amerikës Latine”, shtoi më tutje Dumani.
Janë tre elementë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal, sipas Dumanit.
“Skuadrat e përbashkëta hetimore dhe operacionet ndërkufitare, hetimet financiare dhe rikuperimi i aseteve, komunikimi i sigurtë, ndarja e informacioneve inteligjente në kohë reale”, u shpreh kreu i SPAK.
Edhe Presidenti i Eurojust, Michael Schmid vlerësoi bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të goditjes së grupeve kriminale, që ushtrojnë aktivitetin kryesisht në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë i rëndësishëm, pasi Austria ka lidhje historike me këtë pjesë të Europes. Ballkani Perëndimor është partner me rëndësi për Eurojust. Ju jeni një nga aleatët kryesorë në shumë aspekte, edhe në luftën kundër krimit. Të rrisim bashkëpunimin, pasi grupet kriminale punojnë dhe kalojnë kufijtë. Ne mendojmë se projekti për Ballkanin Perëndimor është sukses, të rrisim besimin reciprok, të rrisim bashkëpunimin mes BP dhe BE. Kemi pasur shume hetime të përbashkëta për mashtrimet online, janë arrestuar qindra persona dhe janë sekuestruar prona të shumta, vitin e shkuar katër grupe mes vendeve te BP. Ato u morën me trafikimin e drogës, falsifikimin e parave. U mbështetën 50 aksione. Synojmë të mbështesim hetimet ndërkufitare dhe dialogun strategjik”, u shpreh ai.
Sakaq, ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato vendosi theksin te ndjekja e parave me burim aktivitetet e jashtëligjshme, duke kërkuar kalimin e ligjit për ngritjen e një Agjencie të posaçme në këtë drejtim.
“Krimi dhe korrupsioni gjenerojnë pasuri e para dhe ato duhen gjurmuar, kapacitetet ligjzbatuese duhet të rriten, duhen veprime konkrete për krimet financiare. Identifikimi i të ardhurave nga krimi me shumë rëndësi, presim nga Shqipëria miratimin e një ligji të posaçëm për ngritjen e Agjencisë përkatëse. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë e dukshme në të gjitha nivelet, bashkëpunimi me aktoret e tjerë është i nevojshëm me policinë, doganat, tatimet, sektorin privat etj… Bashkëpunimi efektiv për luftën ndaj krimit dhe viktimave të tij. Korrupsioni në nivele të larta është kërcënim i sigurisë. Krimi e përdor korrupsionin për të pasur akses. Forcimi i sundimit të ligjit, shumë i vlefshëm. Puna juaj ndikon në integrimin e vendit në BE”, tha Gonzato
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.