Drejtësia

Afera me inceneratorët, GJKKO rikthen Alqi Bllakon në qeli pas kërkesës së SPAK-ut

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të rikthejë në qeli ish-deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako të akuzuar për aferën e inceneratorëve.

Nga kjo e mërkurë, rreth 1 muaj pasi ndryshoi masa e sigurisë nga "arrest me burg", në "arrest shtëpie", Bllako do të qëndrojë në qeli pas ankimimit të bërë nga SPAK me akuzat për korrupsion me inceneratorin e Fierit.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste u paraqit mëngjesin e kësaj të mërkure para Gjykatës se Posaçme të Apelit me veshje sportive, i shoqëruar nga avokarti i tij Sokol Hazizaj.

Pas përfundimit të procedurave ligjore, Bllakos iu vunë prangat në sallën e gjyqit dhe u shoqërua në qelitë e paraburgimit.

Ai fitoi lirinë me argumentet se gjendja familjare është e rënduar, ka fëmijë të mitur për t’u kujdesur dhe se hetimet për dosjen janë drejt fundit.

Por për SPAK, këto nuk janë argumente ligjore dhe janë të pamjaftueshme për të ndryshuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, që sipas prokurorisë është e nevojshme të vijojë për të mos cenuar hetimin dhe rrezikuar largimin e ish-deputetit socialist.

I arrestuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me aferën 4.9 milionë euro të inceneratorit të Fierit, ai ka mohuar akuzat që të ketë shkelur ligjin gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit për ndërtimin e tij.

Në dëshminë para grupit hetimor, Bllako ka mohuar që të ketë rol vendimmarrës te inceneratorët, duke thënë se ka pasur për detyrë vetëm të përcjellë shkresën për miratim te Këshilli i Ministrave.

Alqi Bllako u arrestua me urdhër të SPAK më 1 prill 2022. Sipas dosjes hetimore të SPAK, i mandatuari i PS në zgjedhjet e 25 prillit 2021, akuzohet për procedurën e shpronësimit të tokës arë ku do të ndërtohej incineratori i Fierit, me sipërfaqe 111 564 m2.

Ai dyshohet se, në bashkëpunim ka përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu, ish-deputeti dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Ish-deputeti Bllako është vendosur njëherazi dhe nën hetim pasuror ashtu sikurse ish eprori i tij Lefter Koka, që pret në paraburgim mbylljen e hetimeve, megjithëse ka dorëzuar disa shkresa për të lënë qelinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë