Ish-deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako mbetet në arrest me burg. Ai doli sot para Gjykatës ku u njoh me masën e sigurisë, ndërsa avokati i tij Sokol Hazizaj nisi betejën për t’ia ndryshuar këtë masë.
Seanca e rivlerësimit të masës së sigurisë në GJKKO zgjati rreth dy orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura. Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi ta lërë në qeli ish deputetin e PS. Ndërkohë që vetë Bllako ka zgjedhur të mos flasë, por të përfaqësohet nga avokati i tij.
Avokati i ish-deputetit të PS, Alqi Bllako, i pyetur nga mediat nëse klienti i tij kishte tentuar arratisjen gjatë kohës që policia e kërkonte për të ekzekutuar urdhrin e arrestit të SPAK, tha se ato që janë deklaruar në media “nuk do të thotë se tregojnë të vërtetën”.
"Tre faktet penale që ka identifikuar organi procedurial i hetimit që lidhet me shpronësimin, pagën e të atit në cilësinë e drejtorit të AKUM mendoj se janë akte të prodhuara jo nga Alqi Bllako. Nuk është prodhuar akti nga Alqi Bllako.
Bllako në cilësinë e Sekretarit të Përgjihshëm ka përcjellë vetëm dokumentacionin për shkak të akteve që dalin nga këshilli i Ministrave. Ndaj thashë që mendimi jonë është që nga ky organ nga kjo gjykatë nuk e njeh kodin e procedurës administrative", tha Hazizaj.
Bllako, i vënë nën akuzën e korrupsionit, falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, për më shumë se 16 orë u kthye në personazhin më të diskutueshëm në vend. Zhdukja e tij pa gjurmë pas dhënies së vendimit të Gjykatës për ta vënë pranga, krijoi idenë se ai kishte marrë arratinë për t’i shpëtuar qelisë.
Spak dhe Policia u përplasën për veprimet dhe në njoftimet deri në ndalimin e tij, mëngjesin e së premtes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.