Treg

Alpha Bank mendon shitjen e degës shqiptare, Qeveria greke ndërhyn

Planet e aksionerëve të Alpha Bank për të shitur degën e Shqipërisë të kësaj banke kanë shqetësuar Qeverinë greke, që e konsideron këtë një vendim kundër interesave të saj gjeo-politike dhe ekonomike në rajon.

Mediat greke thonë se Qeveria ka ndërhyrë te drejtuesit e bankës për t’u stepur nga vendimi për të nxjerrë në shitje degën e Shqipërisë së bankës, por çështja është konsideruar e mbyllur, pasi vendimi për shitjen e saj është marrë dhe pritet që të zyrtarizohet brenda gjysmës së parë të muajit qershor.

Aq shqetësues ka qenë ky vendim për Qeverinë greke, sa ka ndërhyrë vetë ministria e Jashtme përmes këshilltarit të saj për çështjet financiare, Alexis Patelis. Patelis ka kontaktuar me drejtuesit e degës qendrore në Athinë të Alpha Bank për të parë mundësinë e anulimit të këtij vendimi.

Në një pjesë të mediave greke thuhet se Qeveria ka shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar edhe financiarisht Alpha Bank përmes kredive të buta të posaçme nga fondi i emergjencës për të përballuar pasojat e Covid.

Megjithatë, sipas artikujve të mediave greke mbetet e paqartë nëse oferta e Qeverisë është pranuar apo do të merret në shqyrtim nga bordi drejtues i Alpha Bank, që pritet të mblidhet në fillim të muajit qershor.

Alpha Bank është banka e fundit greke në Shqipëri. Dy të parat, Tirana Bank, që ishte pjesë e “Pireus Group” u ble nga biznesmenë shqiptarë dhe Banka Kombëtare Greke, NBG u ble nga American Bank of Investments.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë