Ngjarje

Alpet shqiptare janë në rrezik!

Kur ishte një fëmijë, Catherine Bohne pati rastin të bënte një udhëtim me traget nga Italia në Korfuz, së bashku me familjen e saj. Papritur varka iu afrua një bregdeti të qetë, e të gjelbër, të rrethuar nga pyje të ngjeshur, në dukje të pabanuar.

“Çfarë vendi është ky’, pyetja tim atë. ‘Kjo është Shqipëria- mu përgjigj ai-Askush nuk mund të shkojë atje.”

Bohne kujton se në atë moment donte të hidhej nga varka dhe të notonte drejt atij vendi mistik. Por fati deshi që ajo të shkonte në Shqipëri vetëm në vitin  2009, kur një sërë ngjarjesh fatlume e çuan nga qyteti i Nju Jorkut drejt Veriun të ashpër të Shqipërisë, ku malet e larta duket se fshihnin në gji një bukuri të rrallë natyrore. Alpet Shqiptare shtrihen nëpër katër fshatra dhe përfshijnë Parkun Kombëtar të Valbonës, i cili e ka marrë emrin nga lumi i ftohtë i zonës. Falë e pyjeve të dendura, të mbushura me kalime malore, zona është një vend shumë joshësh për turistët, sidomos ata që pëlqejnë ecjen në natyre. Është një nga vargjet e fundit malore në Europë, e vendosur mes maleve kufitare të Kosovës dhe Malit të Zi.

Lugina e Valbonës

Shqipëria ishte e paarritshme përgjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20-të për shkak të diktatorit Enver Hoxha. E izoluar nga perëndimi kapitalist, si dhe nga aleatët e Bashkimit Sovjetik, Shqipëria u bë një nga vendet më të varfra dhe më të mbyllura në Europë. Hoxha vdiq në vitin 1985 dhe komunizmi u rrëzua në fund të vitit 1990, por kjo çoi drejt një periudhe të egër kapitalizmi dhe një sërë skemash piramidale që e bënë Shqipërinë po aq të varfër dhe të pasigurt për turistët. Megjithatë panorama paraqitet ndryshe sot, kur plazhet në bregdetin jugor janë bërë mjaft popullore për turistët që kërkojnë bukurinë e ishujve grek dhe çmimet e ulëta të Europës Lindore, ndërkohë që malet në Veri të vendit vazhdojnë të tundojnë udhëtarët nga e gjithë bota.

Ndonëse Parku Kombëtar i Valbonës u bë zyrtarisht një zonë e mbrojtur në vitin 1996, mungesa e burimeve, buxhetit apo stafit të konsiderueshëm krijuam një zbrazëti që u mbush nga banorët vendas.  Catherine Bohne takoi Alfred Selimaj në udhëtimin e saj të parë në Valbonë dhe që atëherë janë kthyer në zërat kryesorë të mbrojtjes së kësaj zonë të bekuar.  Ata krijuan infrastrukturën e tyre turistike, hartat e printimit, shënimin e shtigjeve, përditësimin e një faqe interneti informative, ngritjen e një ekipi kërkim-shpëtimi dhe ngritjen e një qendre në qytetin Bajram Curri ku vendasit mund të shesin mallrat e tyre.

"Ne jemi duke u përpjekur të zhvillojmë turizmin në përfitim të të gjithëve- thotë Bohne- Për banorët që jetojnë me 29 euro në muaj,  të shesin 25 euro disa shishe raki do të thotë shumë".

Lugina e Valbonës

Zona nuk është e lehtë për t'u arrirë. Opsionet nga kryeqyteti i Tiranës përfshijnë udhëtime të gjata me autobus, ose një udhëtim më të shkurtër nëpër rrugët malore për ta bërë pjesën tjetër të rrugës me traget. Por izolimi i Valbonës kontribuon në ndjenjën e vazhdueshme se ky vend është harruar nga koha.

"Legjendat dhe folklori shqiptar janë trashëguar brez pas brezi, por pak e dinë se të gjitha legjendat kanë ndodhur në ato male", thotë Rea Nepravishta, një aktiviste shqiptare -Në imagjinatën tonë kolektive si shqiptarë, ato male janë vendi nga ku rrjedhin shumica e tregimeve tona".

Por habitati i egër i rajonit është nën kërcënim. Projektet e shumta të digave hidroelektrike kërcënojnë të shkatërrojnë natyrën e pacenuar të maleve. Një OJQ e quajtur TOKA (Organizata për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare), e udhëhequr nga Bohne, po përpiqet ta ndalë.

"Ne filluam të kundërshtojmë ndërtimin e hidrocentraleve në janar të vitit 2016”, thotë Bohne. 14 hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen plotësisht brenda Parkut Kombëtar  të Valbonës, ndërkohë që projekti kërcënon të prishë balancën delikate të ekosistemit lokal. Qëllimi i projektit nuk u bë i qartë që në momentin e parë, por kërcënimi që ai paraqiste për Valbonën u kuptua menjëherë.

"Duhet të marrim më shumë informacione dhe të sigurohemi që banorët të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe të mbeten të informuar. Në qoftë se komuniteti del kundër planeve të qeverisë, atëherë ne do të mund të luftojmë”, shprehet Bohne. Ajo u bëri thirrje banorëve dhe organizatave shqiptare që ta ndihmonin, duke kërkuar emrin e kompanisë në regjistrin online të bizneseve në Shqipëri. Pas dërgimit të një kërkese formale për informacion në Ministrinë e Energjisë, Bohne mori përgjigjen për të cilën ishte duke pritur.

“Më dhanë zarfin dhe mendova: një CD e plotë me dokumente ligjore në gjuhën shqipe ... Do ta shoh nesër”, kujton Bohne. Por atë mëngjes, një person që punonte për administrimin e parkut kombëtar u shfaq i shqetësuar në derën e saj, për ta paralajmëruar mbi një tjetër hidrocentral të madh që ishte duke u ndërtuar, për të cilin Bohne as nuk kishte parë dhe as nuk kishte dëgjuar.

Administratori i tha se në të vërtetë, kompania “Dragobia Energy” ishte duke ndërtuar një hidrocentral edhe më të madh. Bohne kuptoi se CD-ja në shtëpinë e saj përmbante planet për një digë të re që po ndërtohej nga kjo kompani. Ata kishin kërkuar pa dashje planet për ndërtimin e një hidrocentrali që deri më tani ishte duke u mbajtur i fshehtë.  Bohne dhe bashkëpunëtorët e saj kuptuan se duhet të nxitonin. "Ne krijuam TOKA-n, morëm mbështetjen nga Fondi Botëror i Kafshëve të egra dhe na u desh 11 muaj për të gjetur një avokat që ishte i gatshëm të luftonte ... Ishte e vështirë të gjente një avokat, i cili ishte i aftë dhe i gatshëm të qëndronte përballë kompanisë, e cila është një nga më të mëdhatë në Shqipëri. Por ne e bëmë”, tregon ajo.

“Për Valbonën ia vlen të luftohet, nuk duhet të ngrihen vetëm banorët e zonës, por të gjithë shqiptarët-shprehet nga ana tjetër Nepravishta- Malet e egra të Valbonës janë disa prej maleve të vetme të egra që kanë mbetur në Shqipëri dhe në Europë. “

Foto e përdorur nga aktivistët 

"Të gjithë legjendat dhe poezitë e Shqipërisë vijnë nga Veriu dhe shumë prej tyre nga Valbona.  Ajo është një luginë jashtëzakonisht e rëndësishme për shqiptarët- thotë Bohne. Është  Shangri La-ja e Shqipërisë. Shumë njerëz nuk kanë mundur kurrë të ngjiten deri këtu, por ata e dinë se ky vendi nga ku kanë lindur zanat e malit,  shpirtrat, legjendat dhe poezia. Është një vend magjik. "

TOKA ka organizuar një sërë protestash dhe demonstrimesh për të tërhequr vëmendjen e shqiptarëve mbi gjendjen e vështirë të Valbonës, duke përfshirë edhe mbajtjen e një proteste të madhe në Tiranë të quajtur "Unë jam Valbona" dhe një demonstrim spontan nga fshatarët që bllokuan rrugën kryesore te luginës, në qershor. Megjithëse një gjykatë ka urdhëruar që ndërtimi i hidrocentraleve të ndalojë, aktivistët thonë se kompania vazhdon punën.  

"Ne duhet ta fitojmë këtë betejë- thotë Bohne -Njerëzit këtu janë kaq të mirë, dhe dëshirat e tyre janë kaq modeste. Ata vlerësojnë pa masë atë që kanë, duke bërë që të gjithë turistët të bien në dashuri me ta. Ata e dinë se ajo që kanë është e bukur. Ata thjesht duhet t’i largojnë këta grabitqarë private nga zonat e tyre. Unë besoj se do të fitojmë." /Daily Beast/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë