Motosport

Alonso si Federer dhe Nadal, mund të garojë deri në moshën 47-vjeçare!

Gazeta Si – Dy herë kampioni i botës, Emerson Fitipaldi, i ka thurur elozhe pilotit spanjoll. Braziliani e ka fituar garën e fundit në moshën 47-vjeçare dhe beson se edhe Fernando Alonso mund të garojë deri në këtë moshë, sepse është mirë fizikisht dhe ka uri.

Emerson Fitipaldi ka qenë një nga pilotët më agresivë dhe ikonikë të Formula 1. Braziliani ka fituar titullin në vitet 1972 dhe 1974 , me Lotus dhe MekLaren. Sot është 76 vjeç dhe ndjek karrierat në motorsport të nipërve Enco dhe Pietro. F.1 mbetet pasioni i madh tij dhe këtë sezon ai është impresionuar më së shumti nga Fernando Alonso.

Alonso dhe Fitipaldi. Gazeta si, 25 prill 2023

Sipas parashikimit të Fitipaldit, piloti spanjoll i Aston Martin ka përpara edhe shumë vite karrierë në këto nivele. Për ‘AS’ braziliani është shprehur: “Unë e kam fituar garën time të fundit në SHBA, kur isha 47 vjeç. Besoj se Fernando mund të vazhdojë deri në atë moshë dhe në nivel të lartë.

Fizikisht është shumë mirë dhe shoh që ka shumë uri për të fituar. Ka dëshirë për fitore, ka edhe grintë, siç themi ne brazilianët. Mentaliteti i tij dhe karakteri i tij janë shumë të fortë. Është një pilot mjaft kompetitiv dhe kjo është ajo që bën diferencën”.

Është shumë e rëndësishme të kesh edhe një makinë të mirë në duar dhe Aston Martin në këtë moment është. “Është pa dyshim surpriza e kampionatit kjo makinë dhe Fernando është piloti ideal për të shfrytëzuar gjithë potencialin e saj. Jam i bindur që nuk është një koinçidencë, ose një ‘flakë kashte’.

Alonso do të jetë i shpejtë gjithë vitin. Sekreti? Një pilot elite duhet të jetë një talent natyral dhe ka nevojë për ekuilibër fizik dhe mental, si dhe shumë pasion dhe dedikim për sportin e tij. Pa sakrificë nuk ka sukses. Fernando i ka këto cilësi. E krahasoj me Roxher Federer për forcën mentale dhe Rafa Nadal. Alonso bën pjesë në atë grup sportistësh të aftë për gjithçka, falë forcës mentale”.

Për Ferrarin, Fitipaldi theksoi: “Është në një moment ringritjeje, jam optimist se do të bëjnë hapa përpara. Sainz ka një karrierë brilante te Ferrari, është i shpejtë dhe konstant. Të rikuperojë diferencën me Red Bull është e vështirë, por besoj se Ferrari do të rritet gjatë gjithë vitit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë