Motosport

Alonso në pod me 5 skuadra të ndryshme, ja kush janë ekspertët e tjerë para tij!

Gazeta Si – Fernando Alonso ka arritur të ngjitet të paktën një herë në pod me 5 skuadrat, për të cilat ka garuar gjatë karrierës së tij në Formula 1. Në historinë e këtij sporti ai nuk është i vetmi që e ka bërë këtë gjë.

Njeriu i fundjavës në Bahrejn ishte sigurisht Fernando Alonso. Spanjolli u rikthye në pod në F.1 pas gati 2 vitesh, pas një paraqitjeje të mrekullueshme. Vendi i 3-të në garën hapëse të Botërorit e bën atë të vetmin nga pilotët aktualë që futet në ‘top 3’ me 5 skuderi të ndryshme: Reno, MekLaren, Ferrari, Alpine dhe Aston Martin.

Fernando Alonso feston vendin e 3-të në garën e Bahrejnit. Gazeta Si, 8 mars 2023

Por ka edhe pilotë të tjerë që e kanë bërë këtë gjë para spanjollit, madje ka edhe nga ata që kanë bërë më mirë se ai në historinë e Formula 1. Ja kush janë:

Riçardo Patreze
Janë 37 podet e Riçardo Patreze në F.1, me 5 skuderi të ndryshme. Podi i parë në 1978-ën, në Suedi, në pistën e Anderstop, ku e mbylli garën i dyti, pas Niki Laudës, në timonin e Arrous me motor Ford. Pastaj kalimi te Brabham në 1982-shin, me një vend të 3-të, pas të zakonshmit Lauda dhe Keke Rosberg.

Riçardo Patreze ne piste. Gazeta Si, 8 mars 2023

Në 1984-ën eksperienca me Alfa Romeon, me të cilën Patreze zuri vendin e 3-të në Monca. Më pas u transferua tek Uilliams, ku arriti rezultatet më të mira në karrierë. Suksesi i parë me makinën angleze në 1989-ën, në Meksikë, pas Airton Senës. Në fund aventura me Beneton, me podet e fundit në karrierë në Angli dhe Hungari.

Rubens Barrikelo
Plot 68 herë Rubens Barrikelo është ngjitur në pod në F.1. Braziliani ia ka dalë me 5 skuderi të ndryshme, duke nisur nga 1994-a me Xhordan në Japoni, ku e mbylli garën pas Mikael Shumaker dhe Gerhard Berger. Tre vjet më pas zuri vendin e dytë në Montekarlo me Stjuart-Ford. Me Ferrarin pastaj pati rezultatet më të mira, duke filluar nga 2000-shi në Australi, me vendin e dytë pas Shumaker.

Rubens Barrikelo. Gazeta Si, 8 mars 2023

Pasi mbylli eksperiencën me skuderinë italiane, Rubens kaloi te Bar-Honda, ku u ngjit në pod në Britaninë e Madhe në 2008-ën. Dhe në fund aventura me Braun GP në 2009-ën, ku e filloi me një vend të 2-të në Australi, pas shokut të skuadrës Xhenson Baton.

Xhon Surtes
Kampion në Formula 1, Xhon Surtes ka hyrë në historinë e këtij sporti edhe për një arsye tjetër: është një nga dy pilotët që është ngjitur në pod me më shumë skuadra të ndryshme. Janë 6 ato të britanikut. Podi i parë në 1960-ën me Lotus në garën e shtëpisë, kur doli pas Xhek Brabham. Dy vjet më pas, gjithmonë në Britani, Surtes shënoi një arritje historike me vendin e 2-të, pas Xhim Klark: ishte edhe podi i parë i skuderisë Lola.

Xhon Surtes ne gare. Gazetsa Si, 8 mars 2023

Pastaj eksperienca me Ferrarin, me të cilin u ngjit në pod në Holandë, në 1963-shin. Tre vjet më pas kalimi te Kuper dhe vendi i 2-të në Nurburgring që në fillim. Për të hyrë pastaj në histori u deshën vendet e 3-ta në Afrikën e Jugut në 1967-ën me Hondën dhe në SHBA me Brm në 1969-ën.

Stirling Mos
Stirling Mos nuk ka qenë një nga pilotët me shumë fat, nuk ka fituar shumë gara (16) dhe nuk ka fituar ndonjë titull në F.1. Megjithatë, ai ndan rekordin me Surtes, pasi është ngjitur në pod të paktën një herë me 6 skuderi të ndryshme. Një histori e nisur në 1954-ën në Belgjikë: vendi i 3-të me Maseratin, pas Juan Manuel Fangio dhe Moris Trintignant. Një vit më pas vendi i nderit me Mercedesin.

Sterling Mos gjate nje gare. Gazeta Si, 8 mars 2023

Në Britaninë e Madhe, në 1957-ën, ishte radha e podit me Vanuall: një fitore e ndarë me Toni Bruks. Suksesi i radhës në Argjentinë, në 1958-ën, kur i dhuroi skuderisë Kuper fitoren e parë. Vendi i dytë në Angli, në 1959-ën, që ishte edhe i vetmi pod me Brm. Garë historike në Monako, në 1960-ën, kur fitoi me Lotus. Mos u bë piloti i parë që ishte ngjitur në pod me 6 skuadra të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë