Gazeta Si – Në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit, Fernando Alonso do të jetë zyrtarisht rekordmen. Ai do të jetë piloti me karrierën më të gjatë në historinë e Formulës 1. Në shenjëstër edhe rekordi i Kimi Raikonen.
Me vendin e 7-të në Montekarlo, Fernando Alonso tregoi se nuk e ka humbur instiktin e kohëve të arta. Dy herë kampioni i botës mbajti ritmin e duhur pas flamurit të kuq, për të rritur pastaj gradualisht shpejtësinë.

Një vizion strategjik dhe një kthjelltësi në leximin e dinamikës së garës. Spanjolli shumë shpejt do të jetë piloti me jetëgjatë në historinë e Formulës 1.
Alonso është duke marrë kreun e klasifikimit të pilotëve me karrierën më të gjatë. Aktualisht, rekordi mbahet nga legjenda Mikael Shumaker.
Gjermani numëron 7.763 ditë në karrierën e tij. Ai ka debutuar më 25 gusht 1991 në Belgjikë me skuderinë Xhordan. U tërhoq nga Formula 1 në garën e Brazilit, më 25 nëntor 2012.

Alonso e ka ndezur tashmë sinjalin e parakalimit. Një parakalim që do të konkretizohet të dielën, në Baku. Spanjolli, që me Shumin ka luftuar për titullin e 2006-ës, debutoi në F.1 më 4 mars 2001. Ai do të ngjitet në majë të statistikave me 7.770 ditë.
Një rekord, që do të zgjatet garë pas gare. Deri më 20 nëntor, kur do të zhvillohet gara e Abu Dhabit, që mbyll Botërorin. Në atë kohë, Alonso do të ketë bërë 7.931 ditë karrierë.
Për rekordin e numrit më të madh të garave, Alonso duhet të durojë edhe disa javë. Ky rekord mbahet nga Kimi Raikonen, i cili në Nurburgring 2020 kaloi Rubens Barrikelon. Raikonen e mbylli karrierën më 12 dhjetor 2021, me 350 gara.
Piloti i Alpine, Fernando Alonso, tani është në kuotën e 341 garave. Duke përjashtuar të papriturat, i takon që ai ta thyejë rekordin më 2 tetor, në Singapor. Më pas do të jenë edhe 5 gara të tjera.
Pilotët me karrierën më të gjatë:
1.Mikael Shumaker, GP Belgjikë 1991–GP Brazil 2012, 7.763 ditë
2.Fernando Alonso, GP Australi 2001–GP Monako 2022, 7.756 ditë
3.Kimi Raikonen, GP Australi 2001–GP Abu Dhabi 2021, 7.588 ditë
4.Rubens Barrikelo, GP Afrikë e Jugut 1993–GP Brazil 2011, 7.563 ditë
5.Xhenson Baton, GP Australi 2000–GP Monako 2017, 6.286 ditë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




