Nga Gazeta Si- Konsumi i tepërt i alkoolit, veçanërisht gjatë periudhave festive, po shndërrohet në një rrezik serioz për shëndetin e të rinjve. Mjekët toksikologë në QSUT raportojnë shtim të rasteve të helmimeve akute, të shoqëruara me humbje të vetëdijes, çorientim dhe pasoja të rënda shëndetësore, që në disa raste shkojnë deri në fatalitete.
Shefi i shërbimit të Toksikologjisë dhe Adiktologjisë në QSUT, Andrin Tahiri, shpjegon për mediat se të rinjtë janë grupmosha më e ekspozuar ndaj konsumit të alkoolit, drogave dhe përzierjeve të ndryshme (“kokteje”), për shkak të entuziazmit, atmosferës festive dhe vendimeve impulsive të momentit, pa u menduar për pasojat afatgjata.
“Gjatë kësaj periudhe ndeshemi shpesh me helmime akute nga konsumimi i alkoolit me tepri. Në disa raste, alkooli kthehet në dëmtues serioz për shëndetin, duke shkaktuar humbje të koshiencës, humbje të vetëdijes dhe orientimit,” thotë Tahiri.
Sipas tij, nën efektin e alkoolit, të rinjtë janë më të prirur të kryejnë veprime të pakontrolluara, të cilat mund të sjellin pasoja të rënda jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët.
“Alkooli ndikon drejtpërdrejt edhe në trafikun rrugor. Këto janë dëme që në raste të caktuara përfundojnë në ngjarje fatale,” thekson ai.
Ndërsa rastet e konsumit të alkoolit tek të miturit ekzistojnë, Tahiri nënvizon se ato janë më të rralla.
“Ka raste të izoluara me 16-vjeçarë, të cilët nuk janë ende të formuar sa duhet dhe mund të konsumojnë alkool me tepricë. Megjithatë, grupmoshat 19–20 vjeç janë më të shpeshtat, sidomos gjatë festave,” shpjegon mjeku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




