Ekspozite

Alket Frashëri, sentimentalisti i anekdotave të vogla

Pikture e artistit dhe piktorit Alket Frashëri

Alket Frashëri, artisti e piktori i njohur për modestinë e vet, pavarësisht peshës së madhe të vështirësive teknike e konceptuale që u atribuon punimeve të veta, ca kohë para pandemisë shpalosi një ekspozitë vetjake në galerinë “ZETA”, në Tiranë, me titull “Sentimentalizëm... anekdotash të vogla”.

Në një galeri, ku afërsia me punimet nuk të intimidon, por të jep intimitet me veprën, artisti e quante ekspozitën e vet, një të tillë që rreket të flasë. I njohur për punimet litografike, alkimisti i ngjyrës e përdor akuarelin e jo vetëm, për të lënë shkrimin e librit të vet mbi kanavacë a letër.

I lindur në Tiranë, nën mentorimin e profesorit Edi Hila, pas studimeve në Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve, na bën të mendojmë se pyetja që shtrohet nuk është se “ç’do të thotë autori me veprën”, po “ç’arrij unë të shoh e lexoj” tek ajo.

Specializuar në teknikat e pikturës së kavaletit në (Shkollën e lartë kombëtare të arteve të bukura (Ecole nationale supérieure des Beaux-Arts) në Paris e dy herë bursist i qeverisë franceze për studime të kësaj fushe, duke qenë edhe piktor rezident në Qytetin e Artit (Cité des Arts, Paris). Përveçse pedagog i grafikës në lice dhe lektor në universitetin “Polis”, ka kuruar dhe marrë pjesë në një prej ekspozitave më të mëdha ndërkombëtare, në kuadrin e tetorit gjerman, “I.C.O.N.S. – Imazhi i kaosit dhe rregullit në shoqëritë e reja” e plot ekspozita kolektive në Tiranë e Shkodër.

Në pikturat e Alketit shohim gjërat që ne ndajmë, gjërat që vetëm ne duam t’i shohim.

Piktura nga artisti dhe piktori Alket Frasheri

Gjejmë kompromisin, mbështetjen, shpresën, ironinë e bashkëkohësisë, përballë të njëjtave koncepte që erdhën sot që prej Prokopit bizantin të Belizarit.

Aty, ku përballë Tiranës e Durrësit gjejmë Vietnamin, Selmën e Uashingtonin.

Aty, ku përveç liderit, gjejmë sa Maon, edhe Ramizin.

Aty, ku përveç heroit të punës, gjejmë patriotin.

Aty, ku përveç Lasgushit, gjejmë Sherlokun; ku përveç artistit, gjejmë dhe veten.

Siç pohon Frashëri “Në një botë që dyshon, pa e ditur edhe aq përse-në, ajo që tërheq me një vrull të papërmbajtshëm drejt kahut të kësaj shtyse plastike dhe etike, më shumë sesa "gjendja postmoderne", është domosdoshmëria njerëzore e parezistueshme – humanaindigentia që priret të ushqehet prej intuitës artistike e që s’mundet të shpërfillë sakaq, gjurmët e Historisë”. Jeta Deda


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë