Gazeta Si – Spanjolli ka dominuar finalen e Rios kundër argjentinasit Shvartzman (6-4 6-2) dhe përmirëson kështu ‘rekordin’ e Rafael Nadalit në 2005-ën, kur ai hyri në listën e 20 më të mirëve të botës në moshën 18 vjeç e 10 muaj.
Me një paraqitje në limitin e perfeksionit, Karlos Alkaraz ka fituar titullin ‘Atp 500’ në Rio de Zhaneiro, pasi mundi në finale Diego Shvartzman 6-4 dhe 6-2 në 86 minuta lojë. Një sukses që e lejon Alkarazin, 18 vjeç e 9 muaj, të hyjë për herë të parë në karrierë mes 20 lojtarëve më të mirë të botës.

Rafael Nadal, një nga yjet më të mëdhenj të tenisit botëror, në 2005-ën e bëri këtë gjë në moshën 18 vjeç e 10 muaj, ndërsa tani kalohet nga patrioti i tij. Alkaraz është tenisti i 14-të më i ri në historinë e ‘top 20’, pas Kickstein (16 vjeç e 11 muaj), Çang, Borg, Beker, Uilander, Agasi, Perez Roldan, Edberg, Arias, Andrei Medvedev, Sampras, MekEnroe dhe Karlson.
Tenisti spanjoll nuk pati shumë probleme në finale, siç tregon edhe vetë rezultati. Ai dukej qartë se kishte diçka më shumë se kundërshtari dhe këtë e vërtetoi më së miri në gejmin e 9-të. Alkaraz ka fituar titullin më të rëndësishëm në karrierën e tij të re. Ai fitoi 4 ndeshje në pak më shumë se 40 orë në Rio, ku mundi me radhë Delbonis, Berretinin, Fonjinin dhe në finale Shvartzmanin. Për këtë të fundit është finalja e 10-të e humbur në 14 të luajtura në karrierë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



