Nga Sokol Çunga- Për mrekullitë e Ali pashës shumë kam për të thënë,
Edhe në zemër brenda mijëra vargje kam vënë.
Ndaj u vini veshin fjalëve që ju rrëfej,
Paçka se nga harresa druhem dhe se gënjej.
Mrekulli pa farë bëri deri në këtë ditë,
Dhe teksa motet shkojnë, po i shumon përditë.
Kështu i këndon një bejtexhi nga Delvina sundimtarit të tij, Ali pashë Tepelenës. Vargjet më sipër vijnë nën përkthimin tonë, pasi autori i ka shkruar në greqishten demotike të kohës.
Në Fondin “Koleksion dokumentesh para vitit 1912” të Arkivit Qendror Shtetëror ndodhet një bllok prej 122 fletësh të shkruara në të dy anët me bojë. Fletorja përmban një poemë fort të njohur për biografët dhe entuziastët e Ali Pashë Tepelenës, e cila njihet me titullin “Alipashiada”, imitim i titullit “Iliada” të Homerit. Vërtet veprën e shkroi greqisht, po Homeri ndryshon nga i pari.
Quhet Haxhi Shehret dhe, me gjasë, nuk është aspak i verbër. Veprës së tij i ka vënë titullin e gjatë: “Histori e shkurtër e fort të lartit dhe madhështorit, mëse krenarit dhe viteshumit, dovletliut vezir Ali Pasha, sunduesit tonë, gjeneralit të frikshëm të Rumelisë. Kushtuar luftërave, trimërive dhe fitoreve që korri nga jashtë dhe brenda kështjellave, si dhe bëmave të tjera. Thurur në vargje të thjeshta prej osmanit Haxhi Shehretit, të quajturit delvinjot.”

Më 1870 historiani dhe savanti grek Konstandinos Sathas solli përmes shtampave të shtypshkronjës botimin e parë, ndonëse të pjesshëm, të poemës, i vetmi deri tani në origjinal.
Dorëshkrimi që përdori Sathas ndodhej në Bibliotekën Kombëtare të Athinës dhe përmbante mbi 10.000 vargje. Kurse dorëshkrimi që kemi në Arkivin Qendror Shtetëror përmban rreth 2.500 vargje. Megjithatë, pas një krahasimi të shpejtë, vumë re se teksti i botuar prej Sathës dhe teksti i Arkivit Qendror Shtetëror nuk janë identikë.
Çka do të thotë se kemi një variant tjetër të poemës, një thesar ende të pa botuar që mund të na japë informacione të panjohura deri sot. Ndoshta nuk na rrëfen vendin e thesarit legjendar të Aliut, por ca të dhëna për kallëpet gjuhësore që përdorte Shehreti, patjetër që na i jep.

Në fund të poemës Shehreti shënon:
Këto bejte i shkroi Haxhi Shehreti vetë,
dhe ca qindra mijëra i kam ende në xhep.
Gjashtëdhjetë vitet Ali Pashës ia bëj kismet,
teksa po pres orën të dal në selamet.
Edhe Shehreti, si çdo poet oborri, pret çastin e shpërblesës për shërbimin e kryer.
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist shqiptar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



