Mjeku Ilir Alimehmeti ka shpjeguar se gjatë kësaj periudhe gripi nuk është identifikuar pothuajse fare. Eksperti shpjegon për këtë situatë kanë ndikuar masat e marra kundër përhapjes së SARS-COV-2.
“Duke qenë se koeficienti R natyror i gripit sezonal është rreth 1.3, ndërsa ai i SARS-CoV-2 është rreth 2.4, këto masa i kanë ulur paralelisht të dy këta koeficientë dhe ndërkohë që R-ja e SARS-CoV-2 është ulur në vlerën rreth 1.1, kuptohet që vlera e R-së së gripit është zhytur në nivele shumë të ulëta, poshtë njëshit duke sjellë si rrjedhojë zhdukjen e transmetueshmërisë së gripit” është shprehur eksperti.
Ndërkaq në një status në rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit ai ka shkruar se studime të ndryshme tregojnë se mundësia e riinfektimeve është e ulët. Sipas tij, infeksioni i parë natyror, parandalon riinfektimin e dokumentuar me efektivitet 99.3% dhe ka një përqindje të vogël të personave që janë riinfektuar.
“Këto nivele efektiviteti janë të krahasueshme me mbrojtjen nga vaksina. Kështu riinfektimi është tejet i rrallë dhe format e rënda të tij janë ende më të rralla. Mbrojtja nga kalimi natyror i infeksionit, është e krahasueshme me mbrojtjen e ofruar nga vaksinat,” ka shpjeguar Alimehmeti.
Sipas ekspertit mutacionet e reja të virusit ndodhin në proteinën spike dhe vaksinat prodhojnë antitrupa kundër kësaj proteike. Eksperti shpjegon se ata që e kanë kaluar sëmundjen prodhojnë antitrupa edhe ndaj nukleokapsidit (mbështjelljes së virusit), gjë që vaksinat nuk e bëjne.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.