Politike

Alibeaj mbështet Nikollën: S’më intereson I.M. por standardet, dosjet duhet të hapen

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj komentoi në Facebook letrën që Autoriteti i Dosjeve ka depozituar në Kuvend ku përmendet emri i Ilir Metës. Vetë Meta në një deklaratë për mediat tha se nuk është ai. Ndërsa Alibeaj nënvizoi se këtu nuk bëhet fjalë për emra të përveçëm por për standarde.    

“Sot paradite pata një ftesë të papritur nga Kryetarja e Kuvendit zonja Lindita Nikolla. Kërkoi të më vinte në dijeni të materialeve të mbërritura nga Autoriteti i Dosjeve, si Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së. Refuzova të njihesha me detajet e dosjes sekrete të politikanit me inicialet I.M.!

Për mua si politikan dhe për PD-në si parti e themeluar mbi parimet e transparencës, standardet dhe jo emrat e përveçëm, janë të rëndësishme për funksionimin normal të demokracisë.

I bëra me dije Kryetares së Kuvendit se qëndrimi i PD-së për çështjen e dosjeve ka qenë koherent dhe vijon të mbetet i pandryshuar. Shoqëria dhe shteti shqiptar ka nevojë ulëritëse të dekomunistizohet”, shkruan ndër radhë Alibeaj. Më tej ai nënvizon: “Çdo iniciativë për hapjen e dosjeve, lustracionin apo dekomunistizimin, siç ne kemi kërkuar sistematikisht, do të ketë mbështetjen e plotë tonën. Por këto iniciativa duhet të bëhen të plota, të sinqerta dhe ezauruese, dhe jo gjysmake në funksion të lojërave të vogla politike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë