Nga Gazeta ‘Si’-Ndërsa nisi qetë, nuk vijoi e tillë seanca e sotme e Kuvendit.
Teksa deputetët e përjashtuar vijuan me skenarin e tyre jashtë godinës, “të papërjashtuarit” bllokuan foltoren e Parlamentit.
Deputetët demokratë krijuan zhurmë dhe tentuan të pengonin deputeten Evis Kushi teksa fliste për pr/ligjin e radhës.
Deputeti Enkelejd Alibeaj, që nuk është pjesë e aksionit opozitar, i kërkoi kryeparlamentares Spiropali të kthejë në sallë deputetët e përjashtuar.
“Ju e shihni që ky parlament nuk po kryen funksionin e vetë. Këtu gjysma nuk është, dhe e di pse? Sepse ju para një muaji përjashtuat gjysmën e këtij parlamenti. Përgjegjësia për funksionimin e këtij parlamenti i takon mazhorancës. Ju duhet të jepni sot sinjalin e parë për ta kthyer në normalitet këtë parlament dhe e keni në dorë.
Po doni të krijoni një konflikt artificial sepse përfituesit e vetëm jeni ju. Merrni masa për të kthyer normalitetin tani. Kjo është kërkesa që kam unë për ju!", deklaroi ai.
Ndërkohë Spiropali tha se janë të gatshëm të ulen në çdo tryezë për të bërë të mundur që deputetët e opozitës të kthehen në mënyrë dinjitoze.
“Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo kohë, ama të ulemi në karriget që na kanë zgjedhur qytetarët. Jo t’i djegim. Zjarrin që vënë të tjerë ju e dini se cili është autor dhe arsyet.
Po ju them që jemi të gatshëm të ulemi në çdo tryezë për të bërë të mundur që deputetët e opozitës të kthehen në mënyrë dinjitoze në kuvend”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.