Drejtësia

Alfred Balla zgjidhet kryetari i ri i KLP-së në vend të Gent Ibrahimit

Gazeta Si – Alfred Balla është zgjedhur kryetari i ri i Këshillit të Lartë të Prokurorisë me 10 vota dhe do të ketë një mandat 2-vjeçar.

Përpara se të zgjidhej, Balla ushtronte detyrën e zëvendëskryetarit të këtij këshilli. Ai është zgjedhur nga Kuvendi, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë si përfaqësues i Shoqërisë Civile.

Balla zëvendëson Gent Ibrahimin, të cilin i kishte mbaruar mandati që më 19 dhjetor 2021.

Balla ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në vitin 1991 pranë “Universitetit të Tiranës”; studimet pasuniversitare, master shkencor në të drejtën penale në vitin 2012 pranë Universitetit “Justiniani I-rë” dhe mban titullin Doktor i Shkencave Juridike (e drejtë penale) nga viti 2020 pranë “Universitetit Europian të Tiranës”.

Në vitet 1991-1998 ka punuar në detyrën e Prokurorit të sektorit gjyqësor, Zv/Prokurorit të Rrethit dhe Prokurorit të Rrethit në prokuroritë Fier e Lushnjë. Në vitet 1998-2003 dhe 2007-2012 ka ushtruar profesionin e lirë si avokat.

Në vitet 2003-2006 ka punuar pranë Këshillit të Ministrave si Inspektor në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit. Në vitet 2012-2017 ka punuar në pozicionin si Këshilltar Ligjor pranë Gjykatës së Lartë.

Ai është angazhuar në organizma jo-qeveritare të shoqërisë civile me fokus drejtësinë penale dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë