Ekspozite

Aleksandër Moisiu – Njeriu, artisti dhe të panjohurat

Një gjeneratë e tërë e ka dashur atë, “dashnorin e pakrahasueshëm”, i cili nëpërmjet zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman. Kështu e përshkruante shkrimtari Stefan Cvajg Aleksandër Moisiun, aktorin me famë botërore, që i kishte rrënjët në Shqipëri. Gjigandët që shënjuan artin botëror të fillim shekullit XX si Pirandelo, Chaplin, Stanislavski, Kafka, Caruso, Cvajg, ishin miqtë e tij.

Artistin dhe njeriun, ndoshta të njohur më pak mëton ta zbulojë ekspozita e çelur në COD, titulluar “Aleksandër Moisiu, njeriu dhe artisti”. Momentet më të rëndësishme të jetës së njeriut dhe artistit, vijnë të rrëfyera përmes 44 fotografive të printuara në kanavacë. Fëmijëria dhe familja, rolet në film e teatër.

Për herë të parë bëhen publike imazhe  të objekteve personale të aktorit si stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Evropës, si dhe disa shkrepje nga ceremonia mortore  e Aleksandër Moisiut,  në Vjenë.

Ekspozita sjell foto me objektet personale të aktorit, pronë e Muzeut Kombëtar të Teatrit Austriak, shumë nga të cilët së bashku me dokumente shkresorë apo korrespondencën e tij personale, janë dhuruar në vitin 1958 nga bashkëshortja e tij Johanna Terëin. Në vitin 1971, këtij koleksioni iu shtua dhe trashëgimia dokumentare që kishte mbledhur për Aleksandrin, adhuruesja e tij, Maria Dobrozensky.

Përveç këtyre objekteve, në Fondin Moisiu, ka dhe shumë vepra të tjera, si të shkruara, ashtu dhe nga arti pamor të cilat mungojnë këtu, sepse u përkasin koleksioneve private. Dokumentet e paraqitura në këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 18 maj, janë mbledhur nga studiuesi Pjetër Logoreci,  gjatë një periudhe kërkimore 7- vjeçare. Logoreci ishte i pari shqiptar që pati kontakt me koleksionin e Moisiut dhe objektet personale.  Më herët, studiuesi ka bërë edhe botime në shtypin shqiptar rreth këtyre dokumenteve.

“Edhe pse Moisiu u ndesh me shumë vështirësi në fillimet e integrimit të tij në Vjenë, më pas, kontaktet me yjet e personalitetet e artit, që pastaj u bënë miqtë e tij, i pat të shumtë. Shumë prej tyre e fiksuan Moisiun në vepra pamore, libra apo shkrime të ndryshme. Gjithashtu, ai pat, ruajti dhe zhvilloi kontakte me shumë bashkatdhetarë shqiptare, e jo vetëm  në Vjenë, por në shumë vende të botës ku demonstronte artin e tij”, është i mendimit studiues Logoreci.

Ai e ka parë Aleksandër Moisiun, përveçse të jashtëzakonshëm profesionalisht, jashtëzakonshëm dhe si njeri. “Ai nuk u shmang apo refuzoi asnjëherë  ftesat për takime që komuniteti shqiptar i dërgoi”, ka rrëfyer Logoreci. Një ndër mbrëmjet që la gjurmë në komunitetin e studenteve shqiptar të Vjenës ishte takimi i 29 qershorit  të 1920-s, që u pasqyrua gjerësisht nga revista social kulturore “Dialëria”,  organ i Shoqërisë të Studentëve Shqiptarë në Vjenë.

“Këndonjës të dashurë të Dialëriës, mund të kuptojmë edhe të ndiejm leht gëzimin që kanë studentët shqiptar të Vjenës duke pasur në mes të tyre bashkatdhetarin e madh, Aleksandër Moisiun. Përshtypja që lë biseda me të nuk është gjë që përshkruhet, ajo vetëm ndjehet. Mendimet e tij të qarta e bëjnë çdo problem të jetës të lehtë e jeta nga pikëpamjet e tija, të merr një shijë tjetër. Njeriu ndahet prej tij krejt i nderuar, më i naltë, më fisnik”, shkruhet në artikullin “Një natë me Moisiun”.

Natën e takimit, studentet shqiptarë, pasi ndoqën shfaqjen e Moisiut në teatrin “Neue Wiener Buhne”, i dërguan atij një tufë të madhe trëndafilash,  lidhur me kordele  kuq e zi, me shkrimin “Birit të ndëgjuar të Shqipnies, artistit të madh A. Moisiu, si shenjë adhurimi e mirënjojtësie,  ALBANIA”.  Pastaj  hipur mbi pajtone, morën rrugën nga teatri drejt restorantit “Zum weissen Hahn”. Për herë të parë, atë natë, publiku i teatrit mësoi  se Moisiu ishte shqiptar.

Ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili vjen nga një linjë gjaku me aktorin e famshëm Aleksandër Moisiu.

Shumë herë i kishte shfaqur dëshirën konsullit shqiptar Pekmezit për një vizitë në Shqipëri,  si dhe për të pasur shtetësinë shqiptare. Në një njoftim që konsullata shqiptare në Vjenë i dërgon Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë shkruhet, “ ...Me 7 nëntor 1933 u paraqit në konsullatën shqiptare në Vjenë, artisti i famshëm Aleksandër Moisiu, i cili bëri kërkesën për marrjen e shtetësisë shqiptare për vete dhe bashkëshorten Johanna Terëin Moisiu. Ky refuzoi gjithë shtetësitë e tjera dhe dëshiron të pranohet vetëm si shtetas shqiptar, siç ka qenë dhe familja e tij e dalun me kohë prej Kavaje...”

Me 14 mars të vitit 1934, mbreti Zog i dekretoi dhënien e shtetësisë çiftit Moisiu, duke i kërkuar më pas që të ishte “Mjeshtër i Ceremonisë” së mbretërisë, të cilën Moisiu e kundërshtoi me zemërim. Por dhe para kësaj ngjarje, në një festim të 28 nëntorit  në vitin 1930, i ftuar nga komuniteti shqiptar i Vjenës, Moisiu do të shprehej “Kujdes, monarkia pengon zhvillimin historik. Një sistem republikan, ku të mos ketë shumë të pasur dhe shumë të varfër është më demokratik.”

Me 27 prill të vitit 1934, pas një takimi në Romë me çiftin Moisiu, korrespondenti i gazetës “Vatra”,  Mejdi Kamberi, boton një intervistë ku, Moisiu kujton me nostalgji qytetin e Kavajës e të Durrësit. Ai përshkruan rrugët e ngushta të Kavajës, tregon për kishën dhe  xhaminë. Kujton Durrësin ku kishte bërë shkollën fillore, largimin nga Kavaja kur ishte 7 vjeç e rikthimin pas 10 vitesh për dasmën e së motrës...

Një tjetër mik i tij, shkrimtari i madh Franz  Kafka, thoshte për Moisiun,  “Të duket sikur në thellësinë  e syve të tij vështron arkiva fotosh bardh’ e zi, me lëvizje të ngadaltë fantazmash. Ai i rrëmben njerëzit me sytë e tij, me zërin e tij”, shkruante Kafka. Në këtë udhëtim kohe, përmes fotografive bardhezi,  duket se sytë e artistit shqiptar nuk e kanë humbur pushtetin magjik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë