Gazeta Si – Trajneri dhe Kerubini duhet të administrojnë në autonomi të plotë pjesën sportive të klubit bardhezi. Ideja e parë për merkaton e janarit është Mak Alister, kampion bote me Argjentinën.
Juventusi i 2023-shit rinis me Masimiliano Alegrin dhe Federiko Kerubinin. Në pritje të kompletimit të stafit administrativ, pjesa sportive e klubit torinez është e gjitha në duart e trajnerit dhe drejtorit sportiv. Janë ata që do të përcaktojnë linjën e merkatos dhe do të vendosin për lojtarë të veçantë.
Alegri do të ketë një rol alla Aleks Ferguson, skocezi i njohur që te Mançester Junajtid ishte fuqiplotë për zgjedhjet që kishin të bënin me skuadrën.

Kështu do të veprojë tani Alegri, që ka disa ide në mendje deri në qershor dhe jo vetëm. Vëmendjen më të madhe për momentin te Juventusi e ka marrë mesfusha, duke nisur nga Adrien Rabiot. Trajneri dëshiron ta mbajë fort francezin, por vështirë se ai qëndron në Torino.
Juventusi do të tentojë ta bindë me një ofertë, që nuk mund të jetë njësoj me ato që vijnë nga Premier Liga, sidomos pas Botërorit. Trajneri do të provojë të gjejë diplomacinë e duhur për t’i marrë një ‘Po’.
Shumë gjëra varen nga Ueston MekKeni. Nëse vjen një ofertë e mirë, amerikani mund të largohet dhe të krijojë hapësirë, që duhet të plotësohet menjëherë dhe emri i parë është ai i argjentinasit Aleksis Mak Alister. Futbollisti 24-vjeçar ra në sy në Botërorin e Katarit, ku u shpall kampion. Shumë klube po e ndjekin dhe kartoni i lojtarit të Brajtonit ka shkuar në rreth 40 milionë euro. Juve shpreson ta veprojë më shpejt së të tjerët.

Një kampion bote mund të vijë dhe një tjetër mund të largohet. Leandro Paredes duhet të bindë drejtuesit me paraqitjen në fushë, që Juventusi ta blejë, por deri tani duket shumë larg këtij përfundimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




