Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të regjistruar partinë më të re të Astrit Patozit, “Bindja Demokratike” ankimohet në Kolegjin Zgjedhor. Bashkimi Demokratik Shqiptar, parti aleate e PD-së, me kryetar Ylber Valterin ka depozituar më 1 maj në Kolegjin Zgjedhor ankimin për çregjistrimin e Bindja Demokratike, duke argumentuar se vendimi i KQZ-së është marrë në kundërshtim me ligjin, pikërisht me nenin 64 të Kodit Zgjedhor.
“Vërtetimi i gjykatës, i paraqitur në KQZ nga Bindja Demokratike nuk ka marrë formë të prerë. Duke futur në garë, në kundërshtim me ligjin për partitë dhe Kodin Zgjedhor, organizata politike të paregjistruara në Gjykatë, KQZ cenon kushtet e barabarta në zgjedhje dhe ligjshmërinë e zgjedhjeve. Kodi Zgjedhor thotë qartë se “për të marrë pjesë në zgjedhje një parti duhet të paraqesë vërtetimin e regjistrimit në gjykatë”, gjë që Bindja Demokratike nuk e ka, sepse vërtetimi i paraqitur nuk është i formës së prerë. Deri në 23 prill 2019, kur ishte afati i fundit për të dorëzuar kërkesat në KQZ, Bindja Demokratike nuk ekzistonte si parti, prandaj pranimi i saj në zgjedhje nga KQZ është i paligjshëm”, theksohet në argumentet e PBDSH.
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar, një parti pa peshë dhe anonime, në argumentet ligjore ka kujtuar precedentët e kaluar, ku KQZ nuk ka regjistruar disa parti politike, si Partia Civile, vendimi për regjistrimin e saj nuk kishte marrë formë të prerë.

“Kolegji Zgjedhor e ka konfirmuar këtë qëndrim të KQZ në 26 prill 2013, për Partinë Civile, duke argumentuar se “pa marrë vendim të formës së prerë regjistrimi në gjykatë, kryetari i partisë së re apo të autorizuarit e tij, nuk ka tagër të paraqesin në KQZ kërkese për regjistrim”. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për zotin Astrit Patozi si kryetar i Bindjes Demokratike apo të autorizuarit prej tij, të cilët kanë dorëzuar kërkesë në KQZ për pjesëmarrje në zgjedhje përpara se vendimi i gjykatës për regjistrimin si parti të marrë formë të prerë. Duke e konsideruar vendimin e KQZ të paligjshëm, kërkojmë shfuqizimin e vendimit dhe çregjistrimin e Bindjes Demokratike”, thuhet në argumentet ligjore të PBDSH. Gjithashtu përmendet edhe vendim i marrë nga KQZ në 2015 ku me 7 votat pro rrëzuan kërkesën për regjistrimin e Partisë Forca Rinia.
KQZ votoi jo në unison për regjistrimin e Bindjes Demokratike. Kontestimi i fortë erdhi nga kryekomisioneri Klement Zguri, i cili deklaroi se kjo forcë nuk përmbush kushtet ligjore për t’u bërë pjesë e garës së 30 qershorit.
Pavarësisht dëshirës që kryekomisioneri Zguri deklaroi që të marrin sa më shumë forca politike në zgjedhje, duhet të jetë ligji që të prevalojë mbi një çështje të tillë. Mos pasja e një vendimi përfundimtar të Gjykatës së Rrethit Tiranë, u bë prezent në mbledhje edhe nga sekretari i KQZ-së, por katër anëtarët e majtë në KQZ, Biba, Jorgaqi, Skënderi dhe Bitri votuan pro regjistrimit të “Bindja Demokratike”. Ndërsa Zguri votoi kundër regjistrimit të kësaj force të politike që drejtohet nga Astrit Patozi, ish-nënkryetari i PD-së.
Reagimi i Patozit
Kryetari i “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi e ka cilësuar këtë ankimim si një akt që prapa së cilës qëndron Partia Demokratike dhe BDSH-ja për të është një subjekt politik fantazëm.
“Lulëzim Basha është angazhuar seriozisht në betejën kundër BINDJES DEMOKRATIKE, tanimë duke u përpjekur ta pengojë atë që të marrë pjesë në zgjedhje. Ndërkohë që për të gjithë demokratët shqiptarë kundërshtar mbetet Edi Rama dhe qeveria e tij, për Lulzim Bashën kundërshtar është BINDJA DEMOKRATIKE, pasi, me sa duket, atë e shikon si rrezik për karrigen e tij. Përdorimi i disa klubeve me maska për të shantazhuar BINDJEN DEMOKRATIKE, që ajo të shmanget nga gara, do të dështojnë ashtu siç dështoi edhe fushata qesharake e gjetjes së nënshkrimeve të parregullta, të cilat u mblodhën në një kohë rekord”, reagon Patozi në Facebook.
Pavarësisht kësaj, Patozi thekson se partia që ai drejton vazhdon t’i qëndrojë vendimit të saj për të garuar në çdo bashki të vendit, përveç atyre ku mund të rikandidojnë bashkiakë të djathtë në detyrë ose kandidatë të pavarur.
“Ajo është në një aleancë të gjerë me demokratët shqiptarë në gjithë vendin, përveç Lulzim Bashës, i cili ndjehet më i kërcënuar nga BINDJA, se sa nga Edi Rama”, thekson Patozi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




