Ngjarje

Aleatët e studentëve

Nga Ardit Hoxha – “Janë studentë aman, i kemi si fëmijët tanë, nuk kemi çfarë t’u bëjmë. Fikeni 10 minuta sa të kalojnë.” Kështu iu drejtua polici i qarkullimit rrugor drejtuesve të makinave mëngjesin e kësaj të marte në Rrugën e Elbasanit, teksa aty po parakalonin studentët e Fakulteteve të Ekonomikut dhe Filologjikut. Prej 7 ditësh ata grumbullohen fillimisht në fakultetet dhe universitetet e tyre dhe më pas, duke formuar një “lum masiv njerëzor”, marshojnë në rrugë me thirrje, “Arsim cilësor”, “ulni tarifat”, “studentët e bashkuar, kanë për të fituar” dhe shumë të tjera të kësaj forme. Kjo revoltë e studentëve ka gjetur një përkrahje të gjerë në të gjitha shtresat e popullsisë brenda dhe jashtë vendit.

Përgjatë gjithë këtyre ditëve studentët kanë parë që të kenë në krahun e tyre shumë aleatë. Të parët që kujdesen për këtë protestë që mos të ketë incidente, janë policët. Të mësuar me protesta politike apo të shoqërisë civile që në shumë raste kanë precipituar në dhunë, këtë herë uniformat blu kanë përballë studentët në një protestë unike. Policët e qarkullimit rrugor, por edhe ata që janë vendosur përballë Ministrisë së Arsimit në çdo moment kujdesen që studentët të vijojnë protestën e tyre të pashqetësuar dhe duke evituar çdo incident që mund të lindë.   

Aleatë të studentëve janë edhe të gjithë qytetarët e Tiranës që nuk kanë nguruar t’i bashkohen kësaj proteste. Ka pasur nga ata që kanë shkuar në shesh, të tjerë që i kanë mbështetur duke i ndihmuar me pankartat e tyre ironizuese. Por edhe ata që dilnin nga dritaret e ballkoneve të tyre duke i përshëndetur, janë aleatë të studentëve.

Nuk ka munguar mbështetja për këtë protestë edhe nga ata që janë larguar nga vendi, emigrantët dhe azilantët në të gjithë Europën. Me formën e tyre, duke përdorur boritë e autobusëve, në krahun e studentëve protestues, çdo ditë janë edhe shoferët. Që nga ata të linjave urbane, por edhe qytetarë, të cilët pranojnë të qëndrojnë për disa minuta në trafik dhe duartrokasin këta studentë.

Në krahun e protestuesve kanë dalë edhe mediet, që pavarësisht linjave të tyre redaksionale, janë aty nga mëngjesi deri në mbrëmje. Diku më pak dhe diku më shumë, kjo protestë ka zënë vendin e saj në të gjitha gazetat, televizionet apo portalet shqiptare.

Një aleat shumë i fortë i studentëve që i bën akoma dhe më të fuqishëm, janë edhe rrjetet sociale. Nëse para kësaj proteste, këto rrjete sociale ishin konsideruar si “valvul shkarkimi të inatit rinor”, këtë herë ka ndodhur e kundërta. Nga rrjetet sociale nisi gjithçka dhe nga aty organizohet protesta. Është vendi ku të gjithë shprehen dhe ku liderë janë të gjithë. Përtej të gjitha këtyre, studentët kanë një aleat kryesor. Ai është spontaniteti dhe kërkesat e tyre. Janë kërkesa të vogla në dukje, jo politike dhe që u drejtohen të gjithë politikëbërësve të këtyre 26 viteve.

E filluar nga disa kërkesa minimaliste, kjo protestë me vijimësinë e saj qëllimin e parë e ka arritur. Ajo ka ngjallur shpresën te vetë studentët dhe më pas tek të gjithë ata që sot janë aleatë të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë