Krerët e 5 partive aleate të Partisë Demokratike, Fatmir Mediu i PR, Agron Duka i PAA, Nard Ndoka i PDK, Dashamir Shehi i LZHK dhe Vangjel Dule i PBDNJ, kanë zhvilluar një bashkëbisedim të hapur me qytetarët në Kamëz në kuadër të “Forumit për Zgjedhje të Lira”.
Në këtë organizim ‘Grupimi i Qendrës së Djathtë’ diskutoi për krizën politike, institucionale dhe ekonomike në të cilin ndodhet vendi.
Krerët e partive i kanë bërë thirrje Presidentit të Republikës, si i vetmi autoritet kushtetues, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj.
Po ashtu kanë kërkuar nga qytetarët që të vazhdojën kauzën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në protestën e opozitës së bashkuar më 8 qershor.
“E shihni, sot dhe përditë, që vazhdon të mbretërojë si një sulltan në të gjitha institucionet shqiptare. Ka kaluar në delir. Krye ‘skifteri’ është ky vetë, i cili ka vjedhur zgjedhjet. Kështu që ju bëj thirrje të gjithëve të vazhdojmë të jemi qëndrestarë, dhe të mblidhemi në protestën e ditës së shtunë, të jemi edhe shumë më tepër, sepse besoj se jeni irrituar me këto që po dëgjoni mbi ato që ai ka bërë gjatë zgjedhjeve. Nuk kanë vjedhur persona të veçantë, apo kryetarë bashkish, ka qenë ky shefi i vjedhjeve. Nuk mund të vidhte Dako pa bekimin e këtij, i ka bekuar ky këta, por ç’është më e keqja, mirë se i ka bekuar për vjedhje, por këta njerëz i ka marrë dhe i ka çuar në pushtet”, është shprehur kreu i PAA, Duka.
“I kërkoj Presidentit të Republikës, si autoriteti kushtetues i vetëm i këtij vendi, i cili duhet të garantojë unitetin e popullit; i cili duhet të garantojë një shoqëri demokratike e pluraliste; i cili duhet të garantojë nga pikëpamja kushtetuese një shoqëri që bazohet mbi votën e lirë, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj. Në qoftë se Presidenti i Republikës ka deklaruar që është i gatshëm, në qoftë se do të ketë mirëkuptim politik, ne sot kuptojmë që nuk ka mirëkuptim nga pushteti i krimit. Prandaj është e rëndësishme që të shtyjmë zgjedhjet për 6 muaj dhe të ndërtojmë një qeverisje transitore”, shprehet kreu i PR, Fatmir Mediu.
“E vetmja mënyrë me të është përballja, dhe përballja është protesta. Çdo gjë e ka një lloj fundi, për atë, të merituar. E kanë shoqëruar skandalet, nuk është thjesht dëshira jonë për ta larguar, apo e opozitës për të ardhur në pushtet. Nuk ka kërkuar pushtet opozita, nuk kërkon pushtet Lulzim Basha, ne kërkojmë largimin e këtij kryeministri që është kapur peng nga grupet kriminale. Ta mbyllim me një ‘Rama ik’ të fuqishëm!”, është shprehur kreu i PDK, Ndoka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




