Pesë drejtuesit e partive aleate të PD-së, një ditë përpara takimit të pritshëm me presidentin Ilir Meta, shpallin platformën me 12 pika për që synojnë në thelb shtyrjen e zgjedhjeve lokale dhe krijimin e një qeverie tranzitore si një hap i parë për atë që e cilësojnë si një dalje nga kriza politike.
Fatmir Mediu i PR-së, Agron Duka i PAA-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së, Nard Ndoka i PDK-së dhe Dashamir Shehi i LZHK-së po ndërmarrin një nismë për të zgjidhur krizën politike, duke kërkuar fillimisht një takim me presidentin Meta, i cili sipas tyre duhet të organizojë tryezë politike për të dalë nga kjo situatë e krijuar.
Grupi i Qendrës së Djathtë, i përbërë nga partitë aleate të PD-së në konferencën për shtyp shpallën disa prej pikës së platformës për një marrëveshje politike, që synon ndryshimin e Kushtetutës.
“Thirrja e një tryeze politike nga Presidenti i Republikës, e përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës. Përcaktimi i një date për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, me një qeverisje tranzitore (qeverisje kujdestare) me dakordësi politike. Data e zgjedhjeve të përcaktohet në përputhje me detyrimet dhe implementimin nga qeverisja tranzitore, e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe shkëputjes së strukturave të Shtetit nga krimi i organizuar”, janë dy pikat e para të marrëveshjes që propozon Grupi i Qendrës së Djathtë.
Pikë tjetër të këtij grupimi është nisja e reformës zgjedhore që sipas tyre duhet të synojë ndalimin e financimeve të paligjshme, të dënojë jo vetëm njerëzit e angazhuar në blerje dhe manipulim votash, por edhe subjektet politike që marrin pjesë në manipulimin e zgjedhjeve. Gjithashtu propozohet ndryshimi i Kushtetutës për të prekur edhe sistemin zgjedhor duke miratuar votimin me lista të hapura, si dhe një shpërndarje të mandateve në përputhje me parimin e barazisë së votës.
Palët propozojnë ndryshimin e Kushtetutës nëpërmjet ngritjes së grupit të ekspertëve vendas dhe të huaj për t’u fokusuar dhe te reforma në drejtësi, ku imediate cilësohet vënia në funksionim në mënyrë të përkohshme e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, si dhe kufizim të mandateve të Kryeministrit dhe deputetëve.
Ndër pikat e tjera që propozohet është edhe testi i drogës për Presidentin, kryeministrin dhe deputetët, si dhe që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo pazaret politike.
“Krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe Dhomë e Përfaqësuesve. Senati të ushtrojë një pjesë të detyrave dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe një pjesë tjetër të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese t`i kalojnë Gjykatës së Lartë. Rishikimi i Reformës Administrative, për ta çuar pushtetin lokal afër dhe në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, me qëllim kontrollin politik të territorit”, janë dy pikat e fundit të paketës së aleatëve të PD-së.
A po tradhtojnë aleatët PD-në? Mediu: Jo vetëm marrëveshje Rama-Basha
Disa ditë më parë aleatët e PD-së nënshkruan marrëveshjen me kryedemokratin Lulzim Basha, porse pas siglimit të këtij pakti ndërmorën një tjetër nismë për zgjidhjen e krizës, duke i kërkuar presidentin Meta realizimin e një tryeze politike mes liderëve të mazhorancës dhe opozitës. “Deklarata ka shpjeguar qartë se pse Presidenti duhet të thërrasë partitë politike. Besojmë se procesi ku jemi futur po e çon kështu vendin në një konflikt që cenon unitetin e popullit. Ne jemi demokraci kushtetuese bazuar në pluralizëm. Ne i jemi drejtuar Presidentit dhe kemi bindjen se forcat politike do të ulen në tryezë, nëse duan të mbrojnë interesin e vendit. Ne kemi folur të gjithë së bashku dhe po i drejtohemi Presidentit të thërrasë tryezën. Përfaqësuesit e politikës duhet të ulem për të gjetur një zgjidhje”, deklaroi kryerepublikani Mediu.
Kushti i tyre është i panegociueshëm, Rama nuk duhet të jetë kryeministër. Pavarësisht kësaj, aleatët ndryshe nga PD-ja, pranojnë që në një tryezë politike që mund të organizohet nga Meta, Rama duhet të jetë prezent, pasi është kryetari i PS-së. “Rama është përgjegjës si kryeministër për situatën që po kalon vendin, por ne nuk mund të përcaktojmë se kush është kryetari i PS-së”, u shpreh kryerepublikani.
Por a po tradhtojnë aleatët Partinë Demokratike me këtë lëvizje që po ndërmarrin? Sipas kryetarit të Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka këto qëndrime janë në dakordësi të plotë me PD-në dhe se ato bashkohen në pikat që propozojnë zgjedhje pa Ramën si kryeministër, krijimin e një qeverie kalimtare, si dhe faktin që aleatët e PD-së nuk hyjnë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Ndryshe nga marrëveshja e majit 2017, Mediu shprehet se “pakti i ri politik nuk duhet të jetë vetëm ndërmjet Bashës dhe Ramës, por me partitë politike dhe të jetë për të ardhmen dhe jo për zgjidhjen momentale apo preferenciale.

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi deklaroi se “urojmë që edhe PD të vijë në pikën e Kodit Zgjedhor”. “Ne nuk futemi se është djegur afati, u mbyll kjo punë, kemi firmosur një marrëveshje me PD, nuk e duam Ramën kryeministër, edhe kjo punë ka mbaruar. Janë djegur mandatet, edhe zgjedhjet, nuk pranojmë të futemi në zgjedhje. Secila nga partitë ka ide të ndryshme për kodin zgjedhor”, theksoi Shehi.
Kryetar i PBDNJ-së, Vangjel Dule u shpreh se është kusht themelor krijimi i një qeverie tranzitore që opozita të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. “Dokumenti që kemi përgatitur përmban platformën e bashkëpunimit të tonë për një zgjidhje të ngërçit politik dhe që mund të na çojë drejt zgjedhjeve. Është e vetëkuptueshme që një marrëveshje që duhet të përmbajë domosdoshmërish ngritjen e qeverie tranzitore që do të ketë objektiva të mirëpërcaktuar në realizimin e zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta. Qytetarëve shqiptarë u duhet dhënie siguria e një shteti të sigurt në të cilën goditet krimi. Është pikënisja kryesore që aleanca jonë ka ngritur. Ju pushteti i katërt po qëndroni pasiv që po shikoni zhvillimet që po ndodhin si një spektakël. Kjo është një sfidë e përbashkët e të gjithëve që të shkulim rrënjët e së keqes.” tha Dule.
Nard Ndoka, kryetar i PDK-së, tha se kryedemokrati Basha është shprehur edhe më herët që nuk është kundër dialogut dhe se ulja në një tryezë me Edi Ramën, për sa kohë ai është edhe kryetar i Partisë Socialiste, është e pashmangshme.
“Nuk është një kusht, edhe zoti Rama mund të ulet në tryezë institucionale si kryetar i PS. Kjo është krizë e thellë, që përgjegjësia është e kryeministrit, pavarësisht se ai është shkaktari. Lulzim Basha është shprehur që nuk është kundër dialogut, në çdo tryezë që ne jemi të barabartë si forca politike nuk ka asnjë pengesë, dhe besoj se ky do të jetë qëndrimi i opozitës së bashkuar”, tha Ndoka.
Ndërkaq që edhe përpara dy viteve presidenti Nishani ndërmori nismë që të zgjidhte krizën politike, por nuk arriti të bindte Ramën dhe Bashën. Do të ishin partitë e vogla, me iniciativën e kryerepublikanit Fatmir Mediu që do të inicionin tryezën e partive politike më 17 maj, e që do të sillte më pas një takim “kokë më kokë” mes Ramës dhe Bashës, të cilët bënë një marrëveshje që solli futjen e PD-së dhe të opozitës në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.
Grupi i Qendrës së Dajthtë është në pritje të takimit me presidentin Meta, ndërsa bëjnë të ditur se do të nisin një tur takimesh nëpër Shqipëri për të sqaruar elektoratin mbi këtë nismë politike që synon një reformë të thellë kushtetuese. Të martën ky grupim pritet të zhvillojë një takim pasdite në qytetin e Durrësit, pas takimit që do të kenë paradite në orën 11.00 në Presidencë me Metën.
Pikat për marrëveshje mes partive
Thirrja e një tryeze politike nga Presidenti i Republikës, e përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.
Përcaktimi i një date për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, me një qeverisje tranzitore (qeverisje kujdestare) me dakordësi politike.
Reformë zgjedhore e cila ndalon financimin e paligjshëm, dënon jo vetëm njerëzit e angazhuar në blerje dhe manipulim votash, por edhe subjektet politike që marrin pjesë në manipulimin e zgjedhjeve.
Kthimi i Parlamentit në një Parlament përfaqësues dhe kushtetues, nëpërmjet ndryshimit të sistemit zgjedhor, nëpërmjet një sistemi zgjedhor dhe votimi me lista të hapura, si dhe një shpërndarje të mandateve në përputhje me parimin e barazisë së votës.
Përcaktimi me një dispozitë tranzitore kushtetuese për një periudhë 15 vjeçare, i krijimit të një Qeverie Kujdestare 6 muaj përpara zgjedhjeve, duke përcaktuar me ligj formën, kriteret e përfaqësimit dhe detyrat e saj.
Vlerësimi i kuadrit kushtetues të vendit, me një grup të posaçëm ekspertesh të së Drejtës Kushtetuese, vendas dhe të huaj
Bashkëpunimi për një vlerësim të drejtë të Reformës në Drejtësi, funksionimi urgjent i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, qoftë edhe me një amendim të përkohshëm
Kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe deputetëve
Të bëhet testi i drogës për Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët.
Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejtpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo pazare politike. Zgjerimi i kompetencave të tij në fushën e Sigurisë dhe Drejtësisë.
Krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve. Senati të ushtrojë një pjesë të detyrave dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe një pjesë tjetër të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese t`i kalojnë Gjykatës së Lartë.
Rishikimi i Reformës Administrative, për ta çuar pushtetin lokal afër dhe në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, me qëllim kontrollin politik të territorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





